Bota Kosovë-Serbi, arrihet marrëveshja për targat në Bruksel

Kosovë-Serbi, arrihet marrëveshja për targat në Bruksel

Pas dy ditësh negociatash intensive, është arritur një marrëveshje për targat mes delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Lajmin e ka dhënë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Beograd, Miroslav Lajçak, në Twitter, ndërsa falënderon dy përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”.

Të dy palët kanë rënë dakord në këto pika:

Forcat speciale në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut do të largohen paralelisht me bllokadën e rrugëve duke nisur nga 2 tetori, ora 8:00. Forcat e KFOR-it do të vendosen në këto pika kufitare para largimeve simultane dhe do të qëndrojnë aty për rreth dy javë.

Nga data 4 tetor, do të zbatohet regjimi i etiketave në targat e dy vendeve, siç është rënë dakord në dialogun mes dy shteteve të ndërmjetësuar nga BE, deri sa të arrihet një zgjidhje e përhershme.

Do të ngrihet një grup pune me përfaqësues të BE, Prishtinës dhe Beogradit që do të punojë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e mjeteve, bazuar në standardet dhe praktiket e BE. Takimi i parë i këtij grupi do të zhvillohet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajsh nga takimi i parë, grupi i punës do të paraqesë gjetjet e para për një zgjidhje të përhershme.