Kosova Kosovë: Tensione në Veri pas kontrolleve kundër kontrabandës

Kosovë: Tensione në Veri pas kontrolleve kundër kontrabandës

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turma të banorëve lokalë, të cilët kundërshtuan një aksion të policisë anti-kontrabandë. 

Të paktën 6 persona morën lëndime në veri të Mitrovicës gjatë kundërshtimit që iu bë nga banorët lokalë një aksioni të policisë dhe doganës së Kosovës kundër kontrabandës me mallra.

Komunat me shumicë serbe nuk pranojnë kontrollin

Aksioni i policisë së Kosovës dhe Doganës ka përfshirë disa rajone të Kosovës, por ai u kundërshtua nga banorët e komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në veri të Mitrovicës turma të mëdha të qytetarëve tentuan të pengojnë aksionin e policisë, që përdori gazin lotësjellës për të shpërndarë turmat. “Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të të cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Aksioni i policisë, reagon kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës duke thënë se i njëjti është i shtrirë edhe në pjesë të tjera të vendit. Kurti u shpreh se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen ndërsa do ta luftojnë edhe kontrabandën.

Kurti konfirmoi se aksioni i sotëm policor ka përfunduar ndërsa i bëri thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa mediave në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.

Kryeministrja e Serbisë i kërkon NATO-s të ndalë Kurtin

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç e ka cilësuar një sjellje që ka tejkaluar çdo masë aksionin anti-kontrabandë të policisë së Kosovës në Veri, që u shoqërua me tensione nga disa qytetarë serbë.

Përmes një postimi në Facebook, Brnabiç i bën thirrje NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndalur atë që quan “politikë e çmendur e Prishtinës”.

Borrell: Aksionet e njëanshme që rrezikojnë stabilitetin

Shefi i Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Joseph Borrell ka deklaruar se duhet të ndalen menjëherë incidentet e dhunshme në veri të Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrell thekson se aksionet e njëanshme që rrezikojnë stabilitetin, janë të papranueshme.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, shprehet përfaqësuesi i lartë i BE-së.