Extra Kostoja reale e xhinseve të tua!

Kostoja reale e xhinseve të tua!

Ju ndoshta jeni të veshur me xhinse teksa po lexoni këtë shkrim. Nëse jo, ka të ngjatë t’i kishit veshur dje. Ose do ta bëni nesër. Antropologët besojnë se gjysma e popullsisë së botës është e veshur me xhinse sportive në çdo ditë.

Pesë miliard palë prodhohen në vit. Një amerikan i shtresës së mesme ka shtatë palë xhinse- një palë për çdo ditë të javës – dhe blen katër palë të reja në çdo vit. “Do të doja ti kisha shpikur unë bluxhinset. Ata kanë shprehje, modesti, paraqitje seksidhe thjeshtësi – gjithçka që do të kisha dashur për rrobat e mia,” ka thënë francezi Yves Saint Laurent.

Pas veshjeve të tilla bazë si të brendshmet dhe çorapet, bluxhinset janë ndoshta veshja më e përdorur. Bluxhinse po qepnin shumë prej punëtorëve të Rana Plaza në Bangladesh, kur ndërtesa u shemb më 23 Prill 2013, duke vrarë 1.134 punëtorë dhe plagosur 2.500 të tjerë, duke shënuar aksidentin me më shumë të vdekur në fabrikat e veshjeve në historinë moderne.

Bluxhinsat janë shtylla kurrizore e industrisë tekstile dhe prodhimit të rrobave amerikane, që kur Levi e nisi atë punë. Procesi i prodhimit të tyre shkakton gjithashtu ndotje shumë të madhe – duke shkaktuar deri në vdekje. Xhinset mishërojnë gjithçka që është e mirë, e keqe dhe e tmerrshme në modë dhe në industrinë e veshjeve.

“POSHTË CALVIN’S-EVE TË MI NUK KA ASGJË”

Xhinsi ishte thjeshtë një copë tekstili e trashë dhe e ngrohtë deri në fillim të viteve 1870, kur rrobaqepësi Jacob Davis i kërkoi furnizuesit të tij me copa tekstili, Levi Strausit, ta ndihmonte për të prodhuar në masë dizajnin e tij më të fundit: pantallona për punëtorë me thumba metalikë. Nëse Straus mbulonte tarifën e lartë të patentimit 68 dollarë, Davis i propozoi që ata të bëheshin partnerë biznesi.

Sot, Levi Straus&Co. vijon të dizajnojnë dhe shesë shumicën e xhinseve. Është një nga markat më të suksesshme të veshjeve, që ka ekzistuar ndonjëherë. Nga fillimet popullariteti i bluxhinseve ka njohur vetëm rritje të vazhdueshme, derisa u shënua kulmi në vitet 1970 – kur ata pushtuan të gjithë rrugët e botës. Me lëvizjet emancipuese feministe, popullariteti e kësaj veshje nuk ishte më e rastësishme, stilistët në Neë York sollën një kategori të re veshje: xhinse të modës. “Xhinset janë seksi”, tha Calvin Klein.

“Sa më të forta të jenë, aq më shumë shiten.” Për të promovuar pikën e tij të parë të shitjeve, në 1980, Klein zgjodhi aktoren-modele 15-vjeçare – Brooke Shields për të reklamuar xhinset. “Ju doni të dini se çfarë ka poshtë Calvin’s që kam veshur?”, Ajo e bënte pyetjen me zërin e saj fëminor, ndërsa ulej në një poltronë e veshur me një palë xhinse dhe një bluzë të hollë. “Asgjë.”

Reklama qe aq provokuese, saqë në Neë York, media të tillë si ABC dhe CBS e ndaluan menjëherë transmetimin e saj. Por ajo e kishte bërë ndërkohë magjinë e saj: Klein shiti plot 400,000 palë xhinse një javë pas daljes së reklamës, dhe një muaj më pas dy milion palë. Në vijim xhinset e tij njohën vetëm rekorde: më shumë se gjysmë miliard palë u shitën vetëm në 1981.

PALA PERFEKTE

Deri në vitet 1970, shumë prej xhinseve të shitura ishin të bërë prej cope të fortë, të ashpër dhe të ngushta. Për t’i zbutur ato, thjesht duheshin veshur. Kaq. Duheshin plot gjashtë muaj të mirë për tu bërë të rehatshëm në trup. Shumë vite më pas — vite — gjërat ndryshuan. Pëlhura zbutej dhe zbehej në blu të hapur duke u larë me rërë.

Në zona të caktuara ngjyra ndryshohej. Një palë xhinsa sa vinin e prefeksionoheshin. Për të prodhuar një palë xhisa të tillë duhej kohë dhe përkushtim. Kjo deri në popullarizimin e metodës së larjes me rërë në vitet 1980. Copa e paprerë e xhinsit hidhej në kazanë industrialë me tretësira gurësh shtufi dhe përpunohej aty derisa copa zbardhohej e fitonte butësinë e mjaftueshme.

(Guess, kompania e famshme e veshjeve me bazë në Los Angeles kishte një sistem që e kalonte copën e xhinsit në trajtimin me rërë për shtatë orë — një maratonë që tani konsiderohet një tmerr mjedisor.) Në raste të tjera xhinset trajtoheshin më tej me acid, me letër zmerile, copa gërvishej me forma tjera për ti dhënë formën e duhur.

I gjithë operacioni tashmë ka avancuar dhe kryhet në lavanderi të mëdha që tani përpunojnë mijëra xhinse në ditë. Disa lavanderi, veçanërisht ato në Los Angeles, që janë qendrat përfundimtare të prodhimit të xhinseve në Amerikë, ndjekin kritere teknike dhe norma të rrepta të sigurisë për punëtorët dhe mjedisin. Por është krejt ndryshe ajo që pashë në qytetin Ho Chi Minh në një mëngjes me mjergull në prill 2018.

LAVANDERITË E NDOTURA

Vietnami, një ekonomi kryesisht agrare deri 15 vjet më parë, në vitin 2018, kishte rreth 6,000 kompani të prodhimit të tekstileve dhe veshjeve, ku punësohen 2.5 milion njerëz, dhe ku prodhohen rreth 16 përqind e eksporteve të vendit me mbi 30 miliardë dollarë të ardhura. Ekspertët besojnë se të ardhurat do të rriten në 50 miliardë dollarë në vitin 2020.

Një pjesë të madhe të këtij aktiviteti e zë prodhimi i xhinseve. Në vitin 2012, xhiroja e prodhimit të xhinseve në Vietnam ishte 600 milion dollarë; deri në vitin 2021, kjo vlerë pritet të dyfishohet. Në periferinë industriale të qytetit Ho Chi Minh, në një fabrikë të kthyer në një lavanderi të madhe pas një porte të pakalueshme, rreth 200 të rinj vietnamezë djersijnë. Ndriçimi fluoreshent është i dobët dhe kazanët ziejnë në 100 gradë. Helika të mëdha rrotullohen më kot në përpjekje për ta ftohur ambientin e punës.

E pamundur. Male me bluxhinse të errëta janë vendosur mbi tavolina metalike. Të rinj të veshur me bluza, pantallona – zakonisht bluxhins- dhe çizme gome deri te gjuri mbushnin me dhjetëra palë të tilla makinat larëse me madhësi përbindëshash. Një pëllëmbë ujë, si një det blu mbulon dyshemenë. Burrat nuk mbajnë doreza dhe duart e tyre janë thjeshtë ca njolla të zeza. Disa nga makinat janë të llojeve më të vjetra që kërkojnë pesë litra ujë për të larë një kilogram — tre palë — xhinse. Të tjerat janë më efektive, përdorin vetëm një litër ujë për një kilogram xhinse. Prodhuesit “as që shqetësohen fare për këtë “, më tha shoqëruesi im. “Biznesi i tyre ka të bëjë me larjen, jo me shqetësimin për planetin,” më tha një ekspert i xhinseve. Në një dhomë tjetër, burra dhe gra të reja kalojnë me dorë rërë tek pjesa e gjunjëve apo e kofshëve e pantallonave si të jenë marangozë duke punuar drurin. Disa mbajnë maska për të parandaluar thithjen e pluhurit të xhinseve, ndërsa shumica nuk i kanë vendosur ato. Shpejtësia me të cilën punojnë është alarmante: Çdo palë xhinse zbardhohet me rërë për një minutë. Ritmi është intensiv.

Pagesa bëhet për çdo palë. Në kohën kur vizitova fabrikën, një punëtor kalonte në rërë të paktën 400 palë xhinse në ditë, në gjashtë ditë të javës, pa përfshirë orët shtesë.

Ky është ritmi i punës së dorës. Ata që punojnë në makineri duhet të reagojnë edhe më shpejt. Shihja një grua të shkurtër, pa maskë, me flokë të prera shkurt në një si stërvitje me dhëmbë të shtrënguar para një makine që lëshonte një ulërimë aq të lartë sa mund të plasariste kristalin. Ajo vendos preçinat në xhepat e përparme dhe të pasme dhe një palë pantallona i kalon në 10 sekonda.

Gjashtë palë në minutë. Gjithë ditën. E gjitha kjo nuk ka të krahasuar me lavanderitë e Xintangut, qyteti në Provincën Guangdong, Kinë, që pretendon të jetë “kryeqyteti i xhinseve të botës”. Çdo vit aty, 200,000 punëtorë veshjesh në 3,000 fabrikat dhe punishtet e Xintangut prodhojnë 300 milion palë xhinse, 80 mijë palë palë në ditë. Impianti lokal i trajtimit të ujrave është mbyllur vite më parë, duke i lënë lumenjtë e bojës që derdhen nga fabrikat të shkojnë direkt në lumin që kalon në lindje, një degë e Pearl River.

Uji i tij është ngjyrosur në të errët; fauna ujore nuk ka mundur të mbijetojë më. Greenpeace ka raportuar se shtrati i lumenjve përmban nivele të larta plumbi, bakri dhe kadmiumi. Rrugët e Xintang janë të pluhurosura me ngjyrë blu. Dhe shumica e punëtorëve të kësaj industrie raportohet se vuajnë nga skuqjet e lëkurës, infertiliteti dhe infeksionet e mushkërive.

DREJT FINANCIMEVE EKOLOGJIKE?

Tregu global vijon të furnizohet me xhinse të prodhuara në këtë mënyrë stresuese që po shkakton një katastrofë ekologjike dhe shëndetësore. A ka ndonjë zgjidhje? Sigurisht, në botën tonë të përparimit të shpejtë teknologjik, duhet të ketë një mënyrë për ti dhënë fund këtij tmerri që pashë në Ho Chi Minh. Këshilltarët e industrisë së xhinseve José Vidal dhe nipi i tij Enrique Silla, me qendër në Valencia, Spanjë, po punojnë për aplikimin e një procesi më të pastër, më të sigurtë të quajtur Jeanologia, (xhinsologjia) që kalon në tre faza: përdorimi i lazerit për të zëvendësuar trajtimin me rërë, eleminimin e ndotjes së duarve me tretësirat kimike me zbardhues kaliumi (PP ) duke pëpdorur ozon për të zbehur pëlhurat pa kimikate; dhe e treta e-Floë, një sistem larjeje me “nanobubbles” mikroskopike që ul përdorimin e ujit me 90 përqind.

Tradicionalisht, për të përfunduar një palë xhinse kërkohen mesatarish 18 litra ujë, 1.5 kilovat energji dhe 28 gram kimikate. Në total, kjo është 25 milion metër kub ujë, 7.5 miliardë kilovat energji (e mjaftueshme për të furnizuar Mynihun për një vit) dhe 750,000 ton kimikate në vit. Sistemi i njohur si Jeanologia mund ta ulë konsumin e energjisë me 33 përqind, kimikatet me 67 përqind, dhe nëse zbatohet në mënyrë më efikase, përdorimin e ujit me 71 përqind — ose, siç thotë me krenari kompania, në një gotë ujë për palë xhinse. Silla më çoi në një laborator për të parë si funksiononte sistemi. Në dhomën e lazerit, në 10 ose 11 sekonda, xhinse zbeheshin deri në shkallën që janë xhinset e mia pas tre vjet jetese të vështirë.

Në një dhomë tjetër, një varg me tharëse përdor ozonin për të zbehur xhinset. Përdorimi i ozonit stratosferik, ose “ozonit të mirë”, i zbardh xhinsat “sikur të lini në diell për një muaj, vetëm se e bën atë punë në 20 minuta”, thotë Silla. Më në fund, vizituam dhomën e larjes, ku makina e-Floë i lan xhinset me fluska mikroskopike. “Nanobubbles bëjnë zbutjen, ngjyrosjen dhe ashpërsimin pa gurë, të gjitha menjëherë”, thotë Silla. Pas kësaj kalojën në një trajtim të shpejtë me ujë.

“Ne nuk jemi ende në fazën zero të ujit,” thotë ai. “Por ne do arrijmë aty.” Pas vizitës në qytetin Ho Chi Minh, unë pashë edhe një lavanderi të pajisur sipas modelit të Jeanologia për të parë procesin në shkallë industriale. Jeanologia, më tha shoqëruesi im, po bën “një transformim të plotë”.

Linja e vogël nxjerr gati sa gjysma e prodhimit të një fabrike të madhe kineze, pas kurrfarë stresi, lodhjeje zhurme apo temperature të lartë. Kur pyeta për humbjen e vendeve të punës, shoqëruesi im pranoi se “përfundimisht gjithçka do të jetë robotike”.

Jeanologia mund të jetë duke tejkaluar kohët e vështira duke u futur në tregun e prodhimit të xhinseve. Ajo po revolucionarizon procesin e punës dhe fitimet për: Gap, H&M, Zara, Uniqlo, PVH, VF Corp dhe Levi. “Kur ne ta arrijmë këtë, do të jetë e jashtëzakonshme”, më thotë shoqëruesi im.

Nga Fashionopolis: Çmimi i modës së shpejtë dhe e ardhmja e veshjeve.

SCAN Magazine