Aktualitet Kotzias në Korçë, viziton Pazarin e Vjetër

Kotzias në Korçë, viziton Pazarin e Vjetër

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu grek, Nikos Kotzias po qëndrojnë këtë fundjavë në qytetin e Korçës, për të biseduar për tema me rëndësi historike mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Përveç takimit, të shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ata kanë vizituar edhe Pazarin e Vjetër dhe disa pika të tjera në qytet.

Pas takimit në Kretë një muaj më parë, dje në Korçë ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve nisën takimin e dytë mbi bisedimet për çështjet e hapura mes dy vendeve.

Këshilltarja për mediat e MEPJ-së, Edlira Prendi u shpreh dje për ATSH-në se, takimi në Korçë do të jetë vijim i takimit të Kretës. Në këtë takim do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve. Ndërkohë që takimi do të jetë i mbyllur për mediat.

Në takimin e parë në Kretë, rreth një muaj më parë, në tryezën e bisedimeve u diskutuan çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, përfshirë ato me karakter historik, aktual si dhe për perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe.

Bisedimet përbëjnë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë.