Kryesore KQZ korrigjon shifrën fillestare: Pjesëmarrja në zgjedhje 22,9%

KQZ korrigjon shifrën fillestare: Pjesëmarrja në zgjedhje 22,9%

Ndryshon pjesëmarrja e zgjedhësve në votimet e 30 qershorit, sipas të dhënave më të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në fakt janë edhe shifrat zyrtare të dhëna nga ky institucion. Në total, rezulton se kanë marrë pjesë në zgjedhje 812 249 votues, nga 3 536 015 persona në listat zgjedhore, ose thënë ndryshe 22,9%.

Shifra fillestare e raportuar mbrëmjen e 30 qershorit ishte 771 893 votues, por pas rakordimit të shifrave është bërë edhe vlerësimi përfundimtar.

Sipas të dhënave të KQZ, rezulton se forcë e dytë pas Partisë Socialiste rezulton të jetë Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, e cila do të ketë numrin më të madh të përfaqësuesve në këshillat bashkiakë, pas Partisë Socialiste.

Sot nisin gjithashtu procedurat për dhënien zyrtare të mandatave për disa kryebashkiakë, për ato kandidatë të bashkive të vogla ku votat e tyre janë numëruar brenda një Komisioni Zonal të Administrimit Zgjedhor.