Kryesore KQZ shkarkon kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku

KQZ shkarkon kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi këtë të premte me 5 vota pro t’i heqë mandatin kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Anëtarët e Partisë Socialiste në KQZ bashkuan votat me kryetarin Klement Zguri, duke shkarkuar Kajmakun.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilës kryebashkiaku i zgjedhur në 30 Qershor është subjekt i ligjit të dekriminalizmit pasi në formularin e vetëdeklarimit nuk ka përmendur ndalimin në Greqi në vitin 2003 me para të falsifikuara.

“Ky zotëri është i pafajshëm. Individi Kajmaku është i pafajshëm. Është i denjë si gjithë të tjerët që nuk kanë pasur implikime me ligjin. Atëherë, çfarë jemi duke bërë këtu?”, tha Denar Biba, duke shtuar se e vetmja gjë që e komplikon situatën është vetëdeklarimi në formularin e dekriminalizimit. “Këtu ndodhemi para një akti normativ. Ne jemi operatorë të së drejtës. Ne s’mund të bëjmë asgjë përveçse ta zbatojmë. Ne nuk e kemi kapacitetin juridik në kuptim të ligjit për të bërë vlerësim. Nga kjo karrige, nga kjo tavolinë ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse ta zbatojmë atë vendim”, tha Biba.

Por avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu, tha se anëtarët e KQZ-së nuk janë noterë të konstatimeve të bëra nga prokuroria dhe kërkoi respektim të së drejtës së njeriut për tu zgjedhur e respektim të Kushtetuës.

Vetë Kajmaku i ka dërguar një letër KQZ-së ku shprehet se nuk ka qenë në dijeni të procesit të zhvilluar në mungesë të tij në Greqi.