Ekonomi Kreditë e buta, deri tani janë shqyrtuar 800 dosje. Ja kur shpallen...

Kreditë e buta, deri tani janë shqyrtuar 800 dosje. Ja kur shpallen fituesit

Bashkia e Tiranës është duke shqyrtuar të gjitha aplikimet e bëra për të përfituar nga programi për subvencionimin e interesave të kredisë, apo siç njihet ndryshe, programi i kredive të buta, dhe aktualisht janë analizuar rreth 800 dosje”.

Deklarata është bërë nga nënkryetarja e bashkisë, Brunilda Paskali, e cila shtoi se nëse do të vazhdohet me këtë ritëm, shpallja e fituesve do të bëhet në fillim të muajit korrik.

Paraprakisht u mendua se procesi i shqyrtimit do të mbyllej këtë javë, por duke qenë se dosjet po shihen me kujdes për të shmangur gabime apo përfitues që mund të penalizohen nga bankat, kërkoi më shumë kohë. Në total janë rreth 2400 aplikime, ndërsa po punohet edhe në fundjavë për të përshpejtuar përfundimin e shqyrtimit dhe për të shpallur listën e fituesve”, – u shpreh Paskali për GSH.

Ashtu sikurse është bërë e ditur më herët, Bashkia e Tiranës do të subvencionojë 1000 kredi, ndërkohë që procesi do të finalizohet me zbardhjen e procesverbalit përkatës, pjesë e të cilit është edhe lista përfundimtare e aplikantëve dhe përfituesve.

Për përcaktimin e familjeve fituese do të përdoret një formulë pikëzimi, të cilën e gjeni bashkëngjitur shkrimit.

Sa i takon procedurës që do të ndiqet pas mbylljes së fazës së aplikimeve, Komisioni i Strehimit do t’i vendosë në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale procesverbalin së bashku me listën përfundimtare të përfituesve.

Njëkohësisht, Komisioni i Strehimit do të hartojë raportin përmbledhës, i cili do t’i paraqitet për miratim kryetarit të bashkisë.

Ndërkohë që, mbi bazën e raportit përmbledhës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale do të marrë masa për hartimin e listës përfundimtare të përfituesve dhe projektvendimit për miratimin e saj në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak. Pas miratimit të listës përfundimtare nga Këshilli Bashkiak, ajo do të bëhet publike (në stendën e buletineve, faqen e internetit të bashkisë dhe vende të tjera publike) si dhe një kopje e saj do t’i dërgohet zyrtarisht bankës së përzgjedhur për vazhdimin e procedurave.