Kryesore Kreu i Institutit të Ndërtimit: Ky tërmet ishte test për ndërtimet në...

Kreu i Institutit të Ndërtimit: Ky tërmet ishte test për ndërtimet në Shqipëri

“Testi i tërmetit që ndodhi në fundjavë ishte test i madh për ndërtuesit dhe tregoi që kemi punuar me përgjegjësi të madhe si ndërtues e projektues pasi nuk patëm asnjë lloj problematike sa i përket pjesës konstruktive të objekteve”.

Ka qenë kjo deklarata e kreut të Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu në takimin e zhvilluar mes inxhinierëve dhe arkitektëve me Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas Hysenlliut, ky test kaloi atë të vitit 1978, vitit para tërmetit shkatërrues.

“Në bisedat që kam bërë me kolegët, ky test i kaloi ato të vitit ‘78. U them të gjithë kolegëve që kanë punuar me ndershmëri, inxhinierët shqiptarë treguan që vërtetë janë në gjendje të projektojnë dhe të bëjnë ndërtime të mira.

Kjo është diçka shumë domethënëse për ne si inxhinierë. Të gjithë strukturat si struktura kanë qëndruar dhe janë në këmbë dhe siguria të ne është e qartë dhe e saktë. Nuk pa problematika” tha ai.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka bashkuar një ekip inxhinierësh të cilët do të studiojnë jo vetëm pasojat e tërmetit, por gjithashtu do të bëjnë edhe një vlerësim për gjendjen e ndërtimeve shqiptare.

Në total, në këtë proces janë angazhuar 47 inxhinierë nga sektori privat, 26 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të gjithë stafet inxhinierike të Institutit të Ndërtimit. Po ashtu, Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit i është kërkuar që të mbështesin procesin e nisur.