Kryesore Kreu i KED ironizon Metën: Më në fund po ushtron një të...

Kreu i KED ironizon Metën: Më në fund po ushtron një të drejtë që Kushtetuta ia njeh

Pas deklaratës së Presidentit Meta se do të kallëzojë penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka reaguar vetë titullari i këtij institucioni, Ardian Dvorani.

Presidenti Ilir Meta tha se të hënën do të paraqesë kallëzim penal për Dvoranin, për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”.

Ndërkohë, kreu i KED Ardian Dvorani thotë se e ka mësuar këtë nga mediat. “Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallëzim penal ndaj meje. Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim”.

Më tej, Dvorani thekson se “edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojëra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës”.

“Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi”, mbyllet reagimi i Dvoranit.