Kosova Kreu i ri i LDK, kritika Vetëvendosjes: Do të rikthehemi si forcë...

Kreu i ri i LDK, kritika Vetëvendosjes: Do të rikthehemi si forcë kryesore

Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është zotuar se do ta rikthejë LDK-në si forcë kryesore politike në vend.

“Do të rikthehemi si forcë kryesore politike”, tha ai.

Para delegatëve, të cilët i besuan atij Abdixhiku kërkoi unitet dhe bashkim në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai shtoi se idetë e kësaj partie kanë nisur me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova dhe vazhdojnë të jenë aktuale duke i qëndruar kohës.

“Sot po e hapim një faqe të re për ta rikthyer LDK-në në vendin e vet. Nga vetvetja duhet të nisim rikthimin tonë të madh. Idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës, e që kanë nisur nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Prandaj rikthimi ynë është çështje kohe”, shtoi ai.

Kreu i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se politikat e saj të majta synojnë zhbërjen e Kosovës.

Abdixhiku, i cili ishte në garë më Lufti Hazirin dhe Besian Mustafën, mori 190 vota nga 329 delegatë që morën pjesë në votim.

Kush është Lumir Abdixhikut

Lumir Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983 në Prishtinë.

Abdixhiku përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës, teksa gradën Master i Shkencave e mori në vitin 2006 nga Universiteti Staffordshire në Britani në fushën e Moralit Fiskal.

Në vitin 2013 ai përfundoi Doktoraturën në ekonomi nga Universiteti Staffordshire pas katër vjet kërkimesh dhe hulumtimesh në fushën e përcaktuesve të evazionit të taksave të biznesit në vendet në tranzicion.

Abdixhiku është gjithashtu Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest.

Ai u bashkua me Institutin në 2005 dhe që atëherë ka qenë i përfshirë në disa projekte kërkimore, avokuese dhe zhvillimore – në Kosovë dhe jashtë saj.

Abdixhiku ishte ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit nën Qeverinë Kurti. Para kësaj, Abdixhiku ishte Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2017-2019.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë dhe filloi mandatin e tij të dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës.