Aktualitet Kreu i SPAK: Kemi hetime shumë të rëndësishme për pastrim parash dhe...

Kreu i SPAK: Kemi hetime shumë të rëndësishme për pastrim parash dhe korrupsion

Kreu i SPAK, Arben Kraja, gjatë një konference për rolin e BE-së në zbatimin e ligjit në Shqipëri u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka shumë hetime të rëndësishme në vijim.

Ai u shpreh se këto hetime janë në fushën e krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit.

“Jemi në fazën e fundit të marrjes së hetuesve financiarë. Situata është që të gjithë janë tepër intensivë dhe aktivë në ushtrimin e detyrave të tyre. Kemi shumë hetime në vijim, hetime shumë të rëndësishme në aspektin e krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit të të gjitha niveleve dhe në këtë sens është momenti që të ecim përpara”, u shpreh Kraja.

Kraja theksoi se SPAK ka rritur bashkëpunimin me partnerët e huaj. Ai theksoi se aktualisht janë 20 skuadra të përbashkëta hetimore për hetime që kryhen me vende të BE-së, por jo vetëm. Kjo sipas Krajës tregon rritjen e besimit të partnerëve në SPAK.

Ai theksoi ndër të tjera se po punohet ngushtë me Europol dhe Eurojust.

Deklaratat, Kraja i bëri gjatë prezantimit të projektit “EU4LEA”, Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri.

“Nuk dua të zgjas më tepër, dua t’i garantoj qoftë drejtuesit e projektit që ne do të jemi bashkëpunues në arritjen e objektivave që ka projekti. Do jemi partnerë seriozë dhe kemi nevojë që të na ndihmoni, të na asistoni. Bashkarisht mendoj se do ecim përpara dhe do kemi rezultate”, u shpreh Kraja.