Aktualitet Krimi në Shqipëri: Berati, qarku më i qetë, Gjirokastra mban “trofeun”. Shkodra...

Krimi në Shqipëri: Berati, qarku më i qetë, Gjirokastra mban “trofeun”. Shkodra me rritjen më madhe

Kryeprokurori Olsian Çela

Berati është qarku më i qetë, me numrin më të ulët të kriminalitetit, ndërsa qarku i Gjirokastrës mban vendin e parë me përqindjen më të lartë të kriminalitetit.

Sipas raportit të vitit 2022, të cilin kryeprokurori Olsian Çela po e prezanton sot në Komisionin e Ligjeve, rritjen më të madhe të ngjarjeve kriminale e ka pasur qarku i Shkodrës.

“Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021”, tha Çela.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1.69 për qind në krahasim me vitin 2021. Çela u shpreh se numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 33,88 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi ose me rritje 2,57 % të këtij raporti krahasuar me vitin 2021.

Shumica e procedimeve të regjistruara në vitin 2022, i përkasin veprave penale kundër rendit dhe sigurisë publike, ndjekur dhe vjedhja e pasurisë dhe krimet kundër fëmijëve dhe familjes.

“Ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 29,45 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, që kanë ulje 7,53 % krahasuar me vitin 2021. Veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 26,16 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 14,87 % krahasuar me vitin 2021; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes me 6,08 %, që kanë një rritje prej 4,89 % në krahasim me vitin 2021; -veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës me 5,05 %, që kanë ulje 33,62 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2021”, tha prokurori i përgjithshëm.

Megjithatë, procedimet e regjistruara dhe të hetuar kanë pësuar ulje, si pasojë e vakancave të krijuara në institucionet e drejtësisë.