Sport Kristjan Asllani shkëlqen ndaj Interit, Kombëtarja gjen “luftëtarin” e ri të mesfushës

Kristjan Asllani shkëlqen ndaj Interit, Kombëtarja gjen “luftëtarin” e ri të mesfushës

Vëmendjen e mori Nedim Bajrami me golin e barazimit ndaj Interit, por realisht një tjetër shqiptar shkëlqeu në “San Siro”, ku Empoli ishte shumë pranë mrekullisë së kualifikimit në Kupën e Italisë, që përfundoi 3-2. Ai është Kristjan Asllani, 97 minuta në fushë ndaj skuadrës më të mirë të momentit në Itali.

Mesfushori 19-vjeçar e nisi ndeshjen titullar dhe kaloi me sukses një provë pjekurie, duke përballuar lojën e fortë të kundërshtarit. Elbasanasi i Kombëtares U-21 ka marrë vlerësime maksimale për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje, ku u zëvendësua në shtesën e parë nga trajneri Andreacoli.

“Kishte dhënë sinjale pozitive në ndeshjet e mëparshme që ka luajtur dhe i konfirmoi ndaj Interit, duke depërtuar gjithmonë përpara”, – shkruan “Sportmediaset” për Asllanin, i cili është vlerësuar me notën 6.5. Ishte pikërisht mesfushori i ri kuqezi ai që i dha pasimin Bajramit në rastin e golit të barazimit.

Dhe të luash më shumë se 90 minuta në “San Siro”, ndaj një kundërshtari kalibri, është një përvojë shumë e çmuar për çdo lojtar. Kristjan Asllani e ka merituar këtë shans dhe tashmë nuk ka asnjë dyshim se ai është i gatshëm për Kombëtaren e madhe të Shqipërisë, duke nisur nga eliminatoret e radhës. Asllani luan përpara mbrojtjes, por edhe në pozicione më të avancuara të mesfushës, ku kuqezinjtë kanë nevojë në këtë moment.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar se 2-3 lojtarë të rinj janë gati për t’iu bashkuar Kombëtares dhe me siguri këtu bën pjesë edhe Asllani. Edhe pse në moshë shumë të re, përvoja për po fiton në Serinë A, e bën atë një element të rëndësishëm për të ardhmen e Kombëtares. Bare, Gjasula, Laçi dhe Ramadani janë të paralajmëruar, tashmë kanë një rival të fortë për vendin e titullarit.