Sport Kritikoi drejtuesit për merkaton, Tuchel rrezikon shkarkimin nga PSG-ja

Kritikoi drejtuesit për merkaton, Tuchel rrezikon shkarkimin nga PSG-ja

Paris Saint Germain fitoi me rezultatin tenistik 6-1 mbrëmjen e djeshme ndaj Angers, duke regjistruar kështu suksesin e katërt radhazi në kampionat, por pankina e trajnerit gjerman Thomas Tuchel është lëkundur ndjeshëm.

Kjo sepse pas ndeshjes, Tuchel u shpreh i pakënaqur me punën e bërë në merkato dhe theksoi se nëse do të konfirmohet organika aktuale, do të jetë e pamundur të pretendohen të njëjtat rezultate si një vit më parë.

Megjithatë këto fjalë kanë shkaktuar zemërimin e klubit kryeqytetas dhe veçanërisht drejtuesit brazilian Leonardo, i cili reagoi menjëherë dhe theksoi se do të merret me këtë çështje.

“Nëse ndonjëri nuk është i kënaqur, atëherë flasim dhe nuk ka asnjë problem për ne. Në momentin që trajneri vendos të rrijë me ne, atëherë është i detyruar të respektojë politikat dhe rregullat e brendshme të klubit. Të jem i ndershëm, deklaratat e tij nuk i kanë pëlqyer as klubit dhe as mua. Nuk mund t’i pranojmë deklaratat e tij. Jemi duke jetuar në një moment historik dhe nuk është aspak e lehtë. Po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për t’u përforcuar, por nuk e dimë a do t’ia dalim të sjellim futbollistë të tjerë deri në fund të merkatos”, deklaroi Leonardo.

Gjatë ditës së sotme pritet të ketë edhe një ballafaqim mes brazilianit, drejtuesve të tjerë të klubit dhe trajnerit Thomas Tuchel, ndërsa sipas mediave franceze, gjermani tani rrezikon vërtetë shumë.

E në rast të një shkarkimi të mundshëm, emri i parë që lakohet si pasues i tij në pankinën e Paris Saint Germain, është ai i italianit Massimiliano Allegri, i cili do të fluturonte me qejf drejt Francës, pasi nuk preferon të rrijë një tjetër sezon pushim.