Aktualitet Kriza arsimit, shkolla nuk po jep rezultat. BB merr nismën: Ndryshimin e...

Kriza arsimit, shkolla nuk po jep rezultat. BB merr nismën: Ndryshimin e bën një mësues i mirë

Bota po përballet me një krizë të mësuarit. Ndërsa vendet kanë rritur dukshëm aksesin në arsim, të qenurit në shkollë jo gjithmonë prodhon dije.

Në mbarë botën, qindra miliona fëmijë arrijnë moshën madhore pa përfituar aftësitë më themelore, siç është llogaritja e sakte e ndryshimit ndërmjet dy numrave, leximi i udhëzimeve të mjekut ose i orarit të autobusit. Imagjinoni këto fëmije kur të prindërojnë se si mund të përmbushin edukimin e fëmijëve të tyre.

Një hulumtim më i fundit i Bankës Botërore tregon se produktiviteti i 56 për qind të fëmijëve të botës do të jetë më pak se gjysma e asaj që mund të ishte, nëse ata kishin formim arsimor të mirë dhe gjithashtu shëndet të plotë.

Arsimi e ndikon pozitivisht kapitalin njerëzor, nga i cili përfitojnë individët dhe shoqëritë. Për individët, arsimi ngre vetëvlerësim dhe rrit mundësitë për punësim dhe të ardhura. Për një vend, ai ndihmon në forcimin e institucioneve brenda shoqërive, nxit rritjen ekonomike afatgjatë, redukton varfërinë dhe nxit inovacionin.

Kriza globale e arsimit

Një nga arsyet kryesore pse kriza e mësimit vazhdon është se shumë sisteme edukimi në të gjithë vendet në zhvillim kanë pak informacion se kush po mëson dhe kush jo. Si rezultat, ndryshimi për të përmirësuar situatën është i vështirë. Banka Botërore sugjeron se shkollat ​​dhe mësuesit duhet t’i përgatisin studentët me aftësi së paku në lexim dhe shkrim. Nxënësit duhet të jenë në gjendje të interpretojnë informacione, të formojnë mendime, të jenë krijues, të komunikojnë mirë, të bashkëpunojnë dhe të jenë elastike.

BB ndryshon fokusin për arsimin: Ndryshimin e bën një mësues i mirë

Të kesh një infrastrukturë të mirë shkollore, mundësi për të shpenzuar për arsimin nuk mjafton të nxitësh dijen tek të rinjtë. Përvoja ka treguar se kjo arrihet duke pasur një mësues të mirë. Banka e Botërorë ka njoftuar se fundmi një fokus të ri mbi zhvillimin e arsimit në të gjithë globin; ”Të ndihmojmë mësuesit në të gjitha nivelet të bëhen më efektive për të çuar arsimin përpara”, u njoftua në një deklaratë zyrtare të selisë së BB në Uashington së fundmi.

Përvoja ka treguar se kriza e arsimit është, në thelbin e saj, një krizë mësimore. Nxënësit që duan të mësojnë kanë nevojë për një mësues të mirë, por shumë sisteme edukimi i kushtojnë pak vëmendje asaj që mësuesit e dinë dhe çfarë bëjnë ata në klasë.

Por ka raste që në vende ku sistemet arsimore janë të dobëta, ekzistojnë mësues që shkëlqejnë me aftësitë e tyre.

Një mësues i tillë punon në shkollën e Kenitra-s në Marok. Ajo përdor mjete krijuese për të siguruar që çdo fëmijë mëson, merr pjesë dhe kënaqet. Në klasën e saj, çdo shkronjë në alfabet është e lidhur me tingujt e një kafshe dhe një lëvizje dore. Në këtë mënyrë ajo mund t’i identifikojë lehtësisht studentët që nuk e kuptojnë materialin dhe në këtë mënyrë përshtat ritmin e mësimit për t’i ndihmuar ata që nxënë më pak. Fëmijët janë të angazhuar dhe të vëmendshëm dhe nuk kanë frikë të bëjnë gabime. Ky është një mësues i cili dëshiron të sigurojë që të gjithë fëmijët të mësojnë.

“Duke pasur parasysh rolin thelbësor që ata luajnë, trajtimi i krizës së të mësuarit kërkon mbështetjen e mësuesve, të cilët janë më të rëndësishmit për spektrin e madh të nxënësve që marrin dije”, citon Banka Botërore.

Por që mësuesit të shndërrohen në heronj kanë nevojë për ndihmë, duhet të ndihen të motivuar dh të pajisen me atë që kanë nevojë për të dhënë mësim në mënyrë efektive.

Për të mbështetur vendet në reformimin e profesionit të mësimdhënies, Banka Botërore po lançon “Mësues të suksesshëm, studentë të suksesshëm”. Kjo platformë globale për mësuesit adreson sfidat kryesore për t’i bërë të gjithë mësuesit të efektshëm, duke e bërë mësimin një profesion të respektueshëm dhe atraktiv me politika efektive të personelit./Monitor