Sport Kriza e zezë Leicesterit, 2 pikë larg rënies nga kategoria: Çfarë po...

Kriza e zezë Leicesterit, 2 pikë larg rënies nga kategoria: Çfarë po ndodh me Vardy-n?

Tifozët kritikojnë drejtuesit për mungesën e merkatos gjatë dimrit, gazetat nxjerrin në pah problemet tekniko-taktike të skuadrës, ka nga ata që dyshojnë te puna e Claudio Ranieri.

“Kriza” e Leicester ka shumë të panjohura. Në mes të këtyre dyshimeve ka vetëm një siguri: vendi i 16-të në renditje, vetëm dy pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.

Suksesi i fundit në kampionat ka qenë më 31 dhjetor 2016, 1-0 ndaj West Ham, që nga ajo ditë kanë ardhur tre humbje radhazi në kampionat…

Sulmi nuk po shkon mirë. Goli i Slimani, në minutën e 20-të të ndeshjet kundër West Ham, ka qenë i fundit i shënuar në Premier League nga skuadra kampione në fuqi.

Vardy, që ka shënuar vetëm 5 gola deri tani, është simboli i ankthit që ka përfshirë “dhelprat”, por edhe mbrojtja nuk po shkon mirë me 38 gola të pësuar, 5 më shumë se i gjithë sezoni i kaluar.

Në mesfushë problemet lindën që pas largimit që Kante për te Chelsea, ndërsa Drinkwater është kthyer në futbollist të zakonshëm.

Mahrez, lojtari më i talentuar në ekip, ka treguar limite në karakter dhe duket se do ta ketë të vështirë të shkojë më lart.

Si të kalosh krizën?

“Të punojmë më mirë, të luftojmë dhe të besojmë. – trajneri Claudio Ranieri tregon mënyrën si skuadra e tij mund të ringrihet. – Skuadra vjen nga tre vite shumë stresuese. Në fillim ngjitja në Premier League, pastaj një “mbijetesë” e jashtëzakonshme dhe së fundmi titulli kampion. Tre sezone të tilla patjetër që herët a vonë do të linin gjurmë. Në raste të tilla duhet të ruash nervat dhe të kesh objektiva të qarta. Synimi ynë është të arrijmë 40 pikë, kuota që na siguron qëndrimin në Premier dhe jam i bindur se do ta arrijmë.”