Ekonomi Kriza energjetike, nëse nuk ka shi do të duhen 45 milionë euro

Kriza energjetike, nëse nuk ka shi do të duhen 45 milionë euro

Shqipëria është zhytur në një krizë të rëndë hidrike, e cila pritet të përkeqësojë edhe më shumë financat e sektorit energjetik.

Për shkak të pamundësisë për të prodhuar në vend, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë po planifikon të importojë një sasi rekord energjie për dhjetorin. Kjo energji mund të kushtojë mbi 45 milionë euro.

Blerja e re do ta çojë faturën totale të importit të energjisë për këtë vit në mbi 200 milionë euro ose gati 2 për qind e prodhimit kombëtar, një rekord i pashënuar më parë.

Pjesa dërrmuese e faturës së këtij viti është përballuar nga fondet e vetë oshee dhe një kredi prej 23 milionë euro që KESH morri nga Banka Botërore. Por në verë qeveria u detyrua të japë rreth 40 milionë euro kredi për OSHEE-në, e cila jo vetëm që nuk mund të përballojë më e vetme importet e energjisë, por ka filluar të akumulojë borxhe të papaguara, veçanërisht ndaj tatimeve.

Por shqetësimi më i madh i KESH dhe OSHEE është se kriza mund të thellohet më tej, pasi ndryshe nga sa shpresohej situata nuk është përmirësuar as në vjeshtë. Niveli i ujit në Fierzë është rreth 21 metër më i ulët se vjet, ndërkohë që prurjet për muajin nëntor të këtij viti janë 6 herë më pak se nëntori i kaluar duke rezultuar më të ulëta edhe se vitet më të këqija historike.

Këtë vit sektori energjetik u zhyt ne krizë prej shpenzimeve të larta për importet. Qeveria u detyrua të rrisë deficitin buxhetor mbi kufirin e parashikuar. Por nëse dimri do të rezultojë i thatë ashtu si vjeshta, vitin e ardhshëm pasojat mbi financat e shtetit do të jenë më të rënda.