Ekonomi Kriza energjetike, qeveria ka një plan për të mbrojtur familjarët dhe biznesin...

Kriza energjetike, qeveria ka një plan për të mbrojtur familjarët dhe biznesin e vogël

Qeveria shqiptare ka hartuar një plan për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimeve që diktohet nga kriza energjetike në tregjet financiare.

Lajmi është bërë i ditur nga zv/Kryeministri Arben Ahmetaj pas mbledhjes së qeverisë, i cili tha se kjo paketë do të prezantohet nga Kryeministri Edi Rama ditët në vijim.

“Sot Spanja e ka çmimin e megavatit 260 Euro, Gjermani e njëjta gjë, dhe ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve e kanë transferuar koston tek konsumatorët. Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucional që e drejton vetë për të menaxhuar, monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike dhe unë do t’i referohem asaj që Kryeministri ka thënë që vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të bindur që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Shumë shpejt brenda javës, Kryeministri do shpalosë vetë masat për mbrojtjen e qytetarëve dhe sipërmarrjes së vogël, por në nevojë të qetësimit të konsumatorëve ne do të vazhdojmë ta mbrojmë konsumatorin familjar dhe sipërmarrjen e vogël nga kriza energjetike, nga kriza e çmimeve”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj nuk ka bërë të ditur asnjë pikë të këtij plani, e as nëse do të ketë ndryshim të çmimit të energjisë.

Megjithatë, zv/Kryeministri theksoi se kjo paketë do të prezantohet nga Rama pas disa ditësh, ndërkohë që një grup i posaçëm pune po monitoron çmimet në tregjet ndërkombëtare.