Kryesore Kriza politike, delegacion i Kongresit amerikan takon Metën, Ramën dhe Ruçin

Kriza politike, delegacion i Kongresit amerikan takon Metën, Ramën dhe Ruçin

Një grup analistësh, këshilltarësh dhe sekretarësh të disa kongresmenëve amerikanë pjesë e Këshillit të Atlantikut kryesuar nga Damon Ëilson  kanë nisur një vizitë faktmbledhëse për situatën politike në Shqipëri.

Ndalesa e parë për ta Presidencë e cila për këtë takim ka dhënë këto detaje: “Zhvillimet e brendshme politike, zgjidhja sa më e shpejtë e krizës aktuale dhe nevoja për reflektim të menjëhershëm, zbatimi e implementimi i reformës në drejtësi mbështetur në shinat kushtetuese, hedhja e hapave të nevojshme drejt integrimit në BE dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon si faktor kyç për stabilitetin, ishin temat kryesore të diskutimeve”.

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ata kanë takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

E ndërsa zyra e shtypit në kryeministri nuk dha asnjë detaj se çfarë u bisedua me kryeministrin Edi Rama, zyra e shtypit në kuvend është mjaftuar me dy fjali ku thuhet se delegacioni amerikan në takim me kreun e kuvendit Gramoz Ruçi është shprehur se Shqipëria, ka një rol të spikatur për stabilitetin e rajonit.

“SHBA mbështetje në momente vendimtare të kombit. Reformat janë të pakthyeshme e të papengueshme”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit.