Opinione Krizë modelesh suksesi

Krizë modelesh suksesi

Shpërndaje

Nga Erion Muça

Në rutinën e përditshmërisë mediatike dhe televizive realiteti nuk është ai që njohim dhe prekim në jetën tonë por ajo çfarë na serviret, në deformim absurd të normave dhe vlerave tona, modelet mbi të cilat do të duhet të ecim por që ditët e fundit po i shohim të paraqitura në një paradë mediatike të zhytur në një baltë që të zhulos dhe bën aq pis saqë vështirë se mund të pastrohesh ndonjëherë. Gazetarë, komentatorë, analistë dhe politikanë në një sfidë tregu ballore në konkurrencë me njëri-tjetrin për tërheqjen e vëmendjes mediatike dhe konsolidimin e të qenit në qendër të vëmendjes së audiencës për një kohë të gjatë.

I shohim vazhdimisht duke u zënë dhe çjerrë me njëri-tjetrin duke përdorur atë që shërben më së tepërmi skup: banalitetet pa fund. Media është futur në një qorrsokak përshtjellimesh politike saqë çdokush merret me detaje dhe analiza teknike dhe specifike ekspertësh duke analizuar nga pikëpamja logjike dhe personale dhe aspak profesionale, çdo ngjarje, situatë, rast apo lajm duke marrë përsipër atribute ekspertësh e duke trajtuar në fund të tyre konkluzione totalisht të gabuara me rrethanat apo personat e përfshirë në këto ngjarje. Jemi në momentin dhe kohën kur çdo gjë bëhet për famë dhe hapa që bëhen me idenë e promovimit dhe dukjes. Gjendemi në momentin e promovimeve dhe punësimeve mbi bazë njohjesh dhe prezantimesh, ku me një mundësi të artë dhe pak mbështetje në start, ja merr dorën punës dhe fillon rritjen e hapave në karrierë por duke u kthyer në një produkt të përvojës aspak konkurues, pasi sfidat me të cilat përballesh nga mungesa e standardizimit të funksionimit të biznesit ku punon, nuk janë përgjithësisht ekstreme por më shumë të buta. Mjafton që nëse je pak simpatik/e dhe nuk të mungon guximi per ti lënë parimet e vetes tek pantallonat e tjera në shtëpi duke operuar me imoralitet, pabesi, bërryla dhe të futura atëherë e ke edhe më të lehtë ta mbash punën dhe ta kthesh emrin në markë të njohur në qytet e më gjerë. Në këtë Shqipërinë tonë të madhe për nga patriotizmi por shumë të vogël për nga standardet e meritokracisë dhe profesionalizmit si bazë thelbësore e funksionimit të çdo aspekti të jetës, mjafton që mos shohësh dhe veprosh për tu rritur intelektualisht por ta kthesh veten në “mall që pëlqehesh” dhe përshtatesh me atë që kërkohet duke tjetërsuar veten, atëherë ke arritur çdo lehtësi të mundshme për të marrë paga të larta por edhe benefite në imazh që të konsolidojnë, identifikojnë dhe paralelizojnë figurën dhe punën që bën me suksesin në sektorin e operuar.

Sot në Shpipëri mjafton të shesësh dëngla lart e poshtë në media e kudo, mjafton të jesh moskokëçarës dhe kontrapedal për ti rezistuar çdo tendencë dhe trysnie të të bërit inferior por me ftohtësinë dhe guximin e nevojshëm të rezistosh dhe reagosh po aq ashpërsisht, është e vetmja armë e fortë në dorë suksesi për ti bërë ballë konkurencës e cila fatkeqësisht ka karakter shtypës për vlerat, normat dhe parimet me të cilat jemi rritur dhe edukuar. Sot në Shpipëri po duket se nuk po mjafton shkollimi, masterat, doktoraturat nëse paralelisht nuk ke iniciativë të përballesh me vështirësitë duke hequr dorë edhe shpesh nga parimet dhe një pjesë e karakterit duke ulur edhe nivelin tënd në përpjekje për tu përshtatur por me rrezikun permanent se mund të tjetërsosh veten dhe ndrydhur profesionalizmin në varfërinë e variacioneve dhe sfidave me të cilat të përball tregu në Shqipëri në krahasim me vendet europiane. Në to së pari vjen përpjekja për ndërtimin e sistemeve të punës dhe strategjive për implementimin, eksperimentimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tyre dhe më pas vjen rezultati, në Shqipëri nuk ka sisteme e as struktura por është individi që i bën të gjitha dhe përballon çdo gjë ku herë rrëzohet dhe herë ngrihet por sërish nuk dorëzohet duke u përpjekur të mësojë dhe sprovuar veten sesi të dalë me sukses nga situatat e vështira. Në Shqipëri suksesi nuk është i lidhur me konkurrencën midis modeleve sepse nuk ekzistojnë fare modele. Adaptimi i pjesshëm e me copëza me idenë e bashkimit në një kombinim për të ndërtuar një mekanizëm, i cili do të përshtatet edhe me mentalitetin, konceptet dhe këndvështrimin e shoqërisë tonë, por që në zbatim shpesh del se është një “kuçedër” shumëkokëshe që ngjan si monstër dhe që as e njohim dhe as mundemi ti vendosim dot një emër. Kjo “kuçedër” në vend që të përpijë banalitetin e mbështet se atë duan njerëzit dhe e trajtojnë si të veçantë dhe çfarë është e rëndësishme dhe me vlerë që kultivon pozitivitetin e historikut të zhvillimit të shoqërisë tonë, e shfaros nga faqja e dheut duke i kthyer njerëzit që besojnë në profesionalizëm në UFO dhe Don Kishotër fatkeq të kohëve moderne. Kjo “kuçedër” promovon “hutaqin” që nga rastësia bëhet vip, rrit në imazh “buzëqumështen” me shumë dashnorë që me çdo spërdredhje rrit kuotat e bursës së vetes përballë pretendentëve të pasur për ta patur “dashnore”. Kjo “kuçedër” ushqen me famë e para injorantët dhe i trajton ata si modele të rëndësishme suksesi në shembullin e të cilëve kinse do të duhet të ecim, por as më pak e as më shumë por veçse të ndihmojmë “kuçedrën” të shumohet dhe sjellë në shoqëri krijesa edhe më të shpifura, të ngjashme me vemjet por  edhe më të pështira si në dukje ashtu edhe në prekje. Kjo “kuçedër” kafshon intelektualin, kompetentin, profesionistin, artistin, ekspertin duke  i zhdukur ngadalë dhe zëvendësuar nga “robotë” e “kukulla” që recitojnë përmendësh si dhe nga “copa mishi” që ngjajnë si njerëz por në fakt janë hunj të pagdhendur sociopatë që shpesh merren me thashetheme grash dhe që lëpihen dhe fërkohen duke na vështirësuar dita-ditës ndryshimin midis burrit dhe gruas. Kjo “kuçedër” po vret ndjeshmërinë, seriozitetin, normat dhe vlerat tona. Kjo “kuçedër” po vret edukatën dhe kulturën e rritjes profesionale duke nxitur mediokritetin në majat më të larta. Kjo “kuçedër” po vret moralin dhe ndershmërinë duke përqafuar fort dhe shprehur dashurinë e përmallimin mashtrimit, skuthllëqeve, servilizmit, banalitetit, dhe sahanlëpirjes. Kjo “kuçedër” po shumohet aq shpejt saqë me këtë ritëm rrezikon seriozisht të tashmen dhe të ardhmen e gjithë shoqërisë tonë. Shoqëria mund të kthehet shpejt në pjellë të “kuçedrës” dhe në mos ta njohim më veten por të identifikohemi si “fëmijë të kuçedrës nënë dhe babë”. Në fakt nëse do të shndërrohemi në fëmijë tipikë dhe klasikë të nënës dhe babës kuçedër, do duhet të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë dhe rrezikun e të lënit të fëmijëve tanë përballë një lufte aktualisht më shumë të panisur sesa të humbur duke i shndërruar në “anëtarë viktima” të pashpresë dhe pafaj të shoqërisë të gllabëruar nga “kuçedra”.

Tanimë është momenti të kërkohen dhe gjenden zgjidhje të shpejta nga shoqëria jonë duke marrë për bazë modele suksesi të përshtatura natyrshëm por kurrsesi perfeksioniste dhe ideale, që kanë fokus bazë referimi profesionalizmin dhe meritokracinë, të cilat do të duhet të jenë udhërrëfyese të përhershme të modernizimit dhe emancipimit të shpejtë të shoqërisë shqiptare.