Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, ka takuar sot shkrimtaren e njohur Helena Kadare. E buzëqeshur, zonja e dashur e letrave shqipe duket në formë teksa pozon krah kryebashkiakes dhe drejtores së QKLL Alda Bardhyli.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Sako thotë se kanë shkëmbyer një bisedë rreth letërsisë, por pa zbuluar ndonjë projekt konkret për librin në qytetin e Durrësit.
“Takim i ngrohtë me dy mike të shtrenjta, Elena Kadare dhe Alda Bardhyli, drejtore e QKLL, personalitete të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Biseduam gjatë rreth asaj që na bashkon, dashuria për letërsinë dhe kulturën”, shkruan kryebashkiakja Emirjana Sako në “Facebook”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ka pasur dhe më herët takime me kryebashkiaken e Durrësit.
Bardhyli në komunikimet për media ka theksuar herë pas here se një ndër prioritetet e punës së QKLL-së është edhe rijetëzimi i bibliotekave të rretheve, duke ndihmuar me pasurimin me libra të fondit të tyre për t’i kthyer ato në hapësira të rëndësishme komunikimi për librin dhe leximin në qytete.
Ndërkohë, shkrimtarja Helena Kadare në kuadër të Tetorit të Librit u vlerësua me mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me motivacionin “Për librat e saj që me lirizëm edhe guxim, sjellin fatin e ka karaktereve gra në Shqipëri me një forcë prekëse”.
Ky muaj është shpallur nga QKLL si muaji Kadare, duke qënë se përkon me ditëlindjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare.