Politika Kryebashkiaku i Brukselit do të rindërtojë shkollën në Pezë

Kryebashkiaku i Brukselit do të rindërtojë shkollën në Pezë

Tërmeti i 26 Nëntorit ka dëmtuar totalisht 10 shkolla të kryeqytetit të cilat duhet të rindërtohen. Shkolla e Pezës është një prej tyre. Ajo do të rindërtohet nga kryebashkiaku i Bruksesit i cili i shoqëruar nga kryebashkiaku Veliaj vizitoi zonat e prekura nga tërmeti.

“I jam shumë mirënjohës atij dhe stafit që ka ardhur nga Brukseli. Në vend që të takoheshim në zyrë, vendosëm të dalim në terren, ka një solidaritet jo vetëm brenda vendit, por edhe nga shumë miq, duke filluar nga Brukseli deri në SHBA, që janë këtu për të dhënë një dorë”, tha Veliaj.

“Si kryebashkiak i Kryeqytetit Europian, kam një mesazh shumë të rëndësishëm për t’jua përcjellë: ne jemi shumë solidarë me të gjithë popullin sepse e dimë që kjo mund t’i ndodhë kujtdo, jo vetëm tërmetet, por çdo katastrofë. Mesazhi i dytë është i rëndësishëm si anëtar i Këshillit dhe anëtar i BE, që t’u dërgojmë të gjithë shqiptarëve solidaritetin e qytetarëve europianë, sepse Shqipëria është pjesë e Europës dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Philippe Close.

Më tej, dy kryebashkiakët vizituan edhe disa nga shtëpitë dhe institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.