Bota Kryebashkiaku i Hjustonit: Faturat e energjisë të paguhen nga shteti i Teksasit

Kryebashkiaku i Hjustonit: Faturat e energjisë të paguhen nga shteti i Teksasit

Kryebashkiaku i Hjustonit, Sylvester Turner ka bërë thirrje që shteti i Teksasit të paguajë faturat e energjisë elektrike të banorëve.

I ftohti ekstrem javën e kaluar shkaktoi dështime të mëdha në rrjetin energjisë elektrike dhe rritja e kërkesës la miliona njerëz pa ngrohje. Aktualisht energjia është rikthyer për pjesën më të madhe të Teksasit, por disa familje përballen me fatura shumë të larta deri në 16,000 dollarë.

Faturat e majme e shtynë guvernatorin republikan Greg Abbott të mbajë një takim urgjent me ligjvënësit për të adresuar sesi shteti mund të zvogëlojë barrën e konsumatorëve.

Në pjesën më të madhe të vendit situata paraqitet më e qëndrueshme. Moti jashtëzakonisht i ftohtë në disa shtete të jugut të SHBA-së mori të paktën 70 jetë njerëzish.

Texas është duke u rikuperuar nga temperaturat e acarta por shumë banorë ende po vuajnë për ujë të pishëm. Këshilli i Energjisë Elektrike në Teksas, i cili mbikëqyr 90% të sistemit të energjisë për pjesën më të madhe të shtetit, po akuzohet se nuk ka marr masat e duhura. Kryebashkiaku Turner ka depozituar një projekt-ligj për të siguruar rezervë të energjisë për të parandaluar ndërprerjet në rrjetin elektrik.

Presidenti Joe Biden deklaroi një katastrofë të madhe në Teksas gjatë fundjavës duke hapur rrugën për më shumë fonde federale.

Ndihma përfshin grante për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish, hua me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e pronave të pasiguruara dhe programe të tjera për të ndihmuar individët dhe pronarët e bizneseve të rikuperohen nga efektet e katastrofës.