Bota Kryebashkiaku i Milanos, mesazh qytetarëve: Boll zbrazët supermarketet, por kujdesuni për të...

Kryebashkiaku i Milanos, mesazh qytetarëve: Boll zbrazët supermarketet, por kujdesuni për të moshuarit

Teksa Italia është në alarm për përhapjen në masë të koronavirusit, kryebashkiaku i Milanos Giuseppe Sala, ka bërë një thirrje të fortë për qytetarët që për hir të vërtetës janë në panik, duke u thënë që në vend që të vrapojnë për të boshatisur supermarketet duhet të kujdesen për të afërmit, veçanërisht për të moshuarit.

Giuseppe Sala iu është drejtuar qytetarëve duke thënë kjo është gjëja që bën një shoqëri e ndjeshme dhe sipas tij këtë duhet ta bëjnë edhe qytetarët e Milanos.

Mesazhi i tij:

“Qeveria dhe rajoni i Lombardisë kanë përcaktuar rregulla për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Më lejoni ta them që në fillim, këto rregulla nuk diskutohen. Ato zbatohen!

Ne duhet të besojmë në arsyetimin për të sulmuar përhapjen e virusit. Është e vërtetë që rastet janë në rritje, por ndoshta varet edhe nga fakti që ne, në mënyrë proaktive përpiqemi të identifikojmë se kush është prekur nga virusi. Bashkia po i bën shërbimet të funksionojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastrimi, transporti dhe siguria. Zyrat tona janë dhe mbeten të hapura.

Në fund, unë dua t’ju jap një këshillë, që e kam më shumë në zemër nga pikëpamja personale.

Në vend që të mendojmë për të vrapuar drejt supermarketeve për të rrëmbyer ushqime, le të mendojmë që ta zëmë kohën tonë duke u kujdesur për njerëzit më të rrezikuar, veçanërisht të moshuarit tanë. Kjo është ajo që bën një shoqëri e ndjeshme dhe e pjekur”.