Aktualitet Kryebashkiaku i Pustecit mungon për 14 muaj në punë, rrogën e merr...

Kryebashkiaku i Pustecit mungon për 14 muaj në punë, rrogën e merr të plotë

Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko ka munguar 14 muaj në punë, por është paguar njësoj sikur ai të kishte qenë në punë. Rreth 13 milionë lekë janë shpërdoruar nga fondet publike për të paguar kryetarin, pa punuar asnjë ditë për plot 14 muaj.

Ai është arrestuar në Maqedoni nën akuzë për parregullsi zgjedhore, e për 14 muaj, Bashkia e Pustecit ka qenë pa kryetar, por askush nuk ka marrë asnjë masë. Sipas Ligji Nr. 139/2015 “për Vetëqeverisjen Vendore”, neni 62 për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë parashikon shkarkimin e kryetarit për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Edmond Themelko vazhdon të kryejë punën si kryetar bashkie, edhe pse mungoi 14 muaj pa ndërprerje në detyrë.

Me marrjen e këtij informacioni, gazetarët e Fiksit udhëtuan drejt Pustecit, një bashki që ndodhet rreth 30 km larg Korçës. Në hyrje të Bashkisë nuk kishte roje, ishin vetëm 3 punonjës. Ndër ta, nënkryetari i Bashkisë i informoi gazetarët se kryetari nuk ndodhej në punë, pasi ishte me raport.

Në një intervistë të dhënë për Fiksin, ai pretendon se për të gjithë kohën që kryetari ka munguar ka paraqitur raport. Kryetari i kishte deleguar firmën dhe të gjitha shkresat, gjatë mungesës së tij firmoseshin nga nënkryetari. Ky i fundit fillimisht hezitoi të fliste në lidhje me këtë çështje, me gazetarët e Fiksit, duke pretenduar se nuk mbante mend se për sa kohë kishte që firmoste në vend të kryetarit.

Pyetjes sesi i ka firmosur listëprezencat dhe borderotë, ai thotë se i kishte firmosur pa i kontrolluar emër për emër, por në dijeni të tij kryetari është paguar dhe ka sjellë raport.

Por, versionin e nënkryetarit e hedh poshtë inspektorja e pagës pranë kësaj bashkie, Nevina Argjiri. Ajo thotë se në listëprezencën e firmosur nga nënkryetari, kryetari i Bashkisë e ka marrë të plotë rrogën, 86 mijë lekë në muaj.

Gazetarët e Fiksit u interesuan edhe pranë Degës së Thesarit në Korçë, për të qartësuar nëse është paguar me raport apo rrogën e plotë. Sipas specialistes së këtij institucioni, ata nuk i mbajnë listëprezencat apo borderotë. Pasi likuidohen, ato i kthehen bashkisë dhe më pas dërgohen në bankë.

Prefektura e Korçës është edhe institucioni ku kryetari duhet të lajmërojë për mungesën. Sipas sekretares të Prefekturës, për të kthyer një përgjigje duhet të kontrollohet arkiva. Për këtë arsye ajo kërkoi një shkresë me shkrim, të cilës do t’i përgjigjen pasi të verifikohet rasti.

Sipas ligjit, edhe në rastin kur paguhet me raport, masa e përfitimit varion nga 70% deri në 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik. Ndërsa pagesë për paaftësi nga sëmundjet përfitojnë vetëm të punësuarit; 14-ditëshi i parë paguhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi. Mbi ditën e 14 të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjeko-Ligjor (KML), raportet paguhen nga Sigurimet Shoqërore. Por, gjithmonë llogaritjet bëhen nga subjekti. Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14-ditësh.

Në rastin e Themelkos është e paqartë jo vetëm mungesa prej 14 muajsh, por edhe pagesa e tij me pagë të plotë, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Historiku i ndalimit të Edmond Themelkos në Maqedoni

Në shkurt të 2016, prokurorja Fatime Fetai në një konferencë për media theksoi se është hapur procedim penal për shkeljen e të drejtës zgjedhore, ryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe keqpërdorimin e mjeteve për fushatën zgjedhore në vitin 2012, për tetë shtetas, ndër ta edhe Edmond Themelko. Themelko u arrestua në Shtator të 2017, datë kur edhe Ministra e Punëve të Brendshme lajmëroi zyrtarisht ndalimin e Edmond Themelkos në Maqedoni.

Më datën 26 Shtator 2017 në Shkup, Maqedoni, Kryetari i Bashkisë Pustec, Edmond Themelko u arrestua pas aksionit të policisë “Titaniku” . Ai kaloi dy muaj në burgun e Shutkës në Shkup.

Më datën 28 Nëntor 2017, Gjykata i ndërron masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpiak. Arrest që do ta kalonte në shtëpinë e tij, në qytetin e Resnjës, në Maqedoni. Gjatë kësaj kohe policia e shoqëron në seancat gjyqësore në Shkup për rastin “Titanik” ku është i akuzuar.

Më 16 maj 2018, Gjykata Penale pranoi garancitë për pronat që Edmond Themelko zotëron në Maqedoni, me vlerë prej 197 mijë euro. Gjykata shfuqizoi masën e arrestit shtëpiak, duke e lenë me të drejtë paraqitje në gjykatën e Resnjës një herë në javë, por pa të drejtë të lëvizje jashtë Maqedonisë.

Më 23 Nëntor 2018, Gjykata e Apelit i ktheu pasaportën Edmond Themelkos i cili vetëm atëherë mund të udhëtonte jashtë shtetit, por sërish ishte i detyruar të paraqitej njëherë në javë në gjykatën e Resnjes.

Edmond Themelko ka hyrë në Shqipëri dhe ka ardhur në punë në Bashkinë e Pustecit në fillim të Dhjetorit 2018.