Politika Kryemadhi: Bëhuni gati! Më 30 qershor ka zgjedhje lokale dhe parlamentare

Kryemadhi: Bëhuni gati! Më 30 qershor ka zgjedhje lokale dhe parlamentare

Gjirokastra ishte ndalesa e radhës për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, e cila pati një takim me strukturat ku bëri thirrje për protesta masive kundër “Rilindjes”.

Kryemadhi duke iu drejtuar anëtarëve të LSI, kërkoi që të lënë mënjanë flamurin e partisë dhe të shpalosin flamurin kombëtar duke iu bashkuar protestës së studentëve, pasi sipas saj janë ata qytetarët e denjë që i dhanë mësim politikës në vend.

“Studentët i kanë dhënë një dimension tjetër jetës politike dhe dimension tjetër i kanë dhënë edhe reagimit qytetar. Ata mbajnë zjarrin e protestës ndezur edhe pse janë me pushime. Ne kemi bërë thirrje që të palosni flamurin e LSI dhe të shpalosin flamurin kombëtar. Protesta ishte një sinjal shumë i mirë, por për hir të vërtetës duhet të bëjë që të na vrasë ndërgjegjja.

Studentët i dhanë një mësim politikës shqiptare, pasi thanë se nëse politikanët nuk reagojnë do reagojnë ata. Studentët e Gjirokastrës duhet t’i bashkohen atyre të Tiranës”, tha Kryemadhi.

Por kryetarja e LSI hodhi edhe akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, madje duke thënë se 30 qershori 2019 do të shënojë fundin e tij politik.

Kjo pasi, sipas Kryemadhit, pasi në këtë ditë do të zhvillohen jo vetëm zgjedhjet lokale por edhe ato parlamentare.

“Nga gjithë informacionet që ne kemi e shikojmë që data 30 qershor do jetë ditë zgjedhjesh lokale e të përgjithshme”, tha Kryemadhi, duke theksuar se parlamenti është shpërbërë dhe ka humbur legjitimitetin.