Politika Kryemadhi: Do e kisha dekretuar Gent Cakaj si Ministër të Jashtëm, por...

Kryemadhi: Do e kisha dekretuar Gent Cakaj si Ministër të Jashtëm, por Metës iu dhimbs Rama

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se do ta kishte dekretuar zotin Gent Cakaj si Ministër të Jashtëm nëse do të kishte qenë ajo Presidente.

E ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News me drejtoren e Informacionit Beti Njuma, Kryemadhi thotë se Metës iu dhimbs Rama për ta ekspozuar para opinionit publik, PS dhe faktorit ndërkombëtar.

Kryemadhi: Po të kisha qenë në pozicionin e Ilir Metës, unë do ta kisha firmosur Gent Cakaj për Ministër të Jashtëm dhe më pas ne do të shikonim se që nga kryeministri dhe gjithë qeveria e tij do të tërhiqeshin zvarrë jo vetëm nga opinioni publik  por dhe shumë faktorë të tjerë qofshin ndërkombëtarë apo dhe vetë populli i Kosovës. Mesa duket Presidenti iu dhimbs Kryeministri prandaj dhe bëri një veprim të tillë për të ruajtur sadopak institucionin dhe fytyrën e shtetit shqiptar. Do të shikoja sesi vetë PS do të reagonte dhe sesi vetë PS do të ishe ajo që do ta kishte kundërshtuar me votën e saj në parlamenti Ministrin e Jashtëm. Derisa sot Kryesia e PS-së nuk e lejoi Ramën ta ripropozonte në një dekret të ri zotin Cakaj do të thotë se vetë PS e ka detyruar atë për të mos bërë një ripropozim të tij.

Lidhur me sulmin që  Rama i bën Presidentit duke përdorur emrin e saj, Kryemadhi ka këtë koment.

Kryemadhi: Jam e lumtur që më sulmon se do të thotë se ai më konsideron. Por kjo tregon ku ka degraduar institucioni i Kryeministrit. Ka ardhur koha që vetë PS të kërkojë një reflektim dhe të kërkojë një prezantim serioz të saj në institucionet e shtetit shqiptar. Mbaroi koha e batutave dhe humorit. Shqiptarët sot janë në gradën e fundit të varfërisë.

Kryemadhi thotë se Meta ka përgjegjësi për këtë situatë për shkakun e suportit që i ka dhënë Edi Ramës duke e zgjedhur kryeministrin në 2013 dhe duke i krijuar mundësitë të fuqizohej ekonomikisht, politikisht dhe institucionalisht.

Lidhur me denoncimin e bërë nga Zëri i Amerikës për punësimet, Kryemadhi thotë se kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Kryemadhi: Kjo është një gjë shumë e vogël në gjithë skemën e manipulimit të administratës publike. Drejtoresha e Përgjithshme e Administratës Publike thoshte kemi 813 vende pune që do t’ua japim studentëve të ekselencës. Po me ligjin e  shërbimit civil çfarë do të bëjë kjo zonja? Do ti prishë kriteret, ku thuhet që duhet të kesh të paktën 5 vjet punë etj. Duhet të vijë në parlament dhe të ndryshojë ligjin e shërbimit civil që i duhen votat për ta ndryshuar dhe nuk i ka.