Politika Kryemadhi: OSBE/ODIHR nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit

Kryemadhi: OSBE/ODIHR nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit

Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediet tha se OSBE/ODIHR nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas kryetares së LSI-së, OSBE tregoi shkatërrimin ligjor të vendit.

“Nuk kemi asnjë mëdyshje që ai raport do të sillte konkluzione të qëndrueshme. Ndjejmë dhimbje për situatën politike ku ndodhet vendi. Raporti i OSBE/ODHIR është skaner për të vërtetën. Në atë raport është e qartë situata, pasi tregoi shkatërrimin ligjor të vendit. KQZ interpretoi ligjin sipas Ramës”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së, u shpreh se sot vendi ka nevojë urgjente për hapjen e negociatave, ndërsa ftoi palët politike, mes tyre edhe kryeministrin Rama që të tregohen të përgjegjshëm dhe t’u japin  zgjidhje shqiptarëve.

“Hapja e negociatave është një nga pikat kyçe që ka nevojë sot Shqipëria. Duhet të zgjohemi. Të gjithë partitë politike duhet të marrin përgjegjësi, nga ne të parët, si opozita, dhe më pas Edi Rama, i cili shkatërroi sektorët si shëndetësinë, ekonominë dhe largoi të rinjtë nga vendi”, tha Kryemadhi.