Bota Kryeministri miliarder çek, antiemigrant në politikë, por jo në bizneset e tij

Kryeministri miliarder çek, antiemigrant në politikë, por jo në bizneset e tij

Kryeministri euroskeptik çek është një prej zërave më të fortë në vend kundër emigrantëve. Por, “Deutsche Welle” ka zbuluar se, në firmat e tij punojnë shumë punëtorë të huaj, të cilët për më shumë kanë hyrë në vend përmes rrugëve të dyshimta.

Gjiganti mediatik gjerman ka gjurmuar rastin e një punëtori 36-vjeçar nga Vietnami verior, i cili thotë se ka paguar 14 mijë dollarë te një ndërmjetësues vietnamez, e pas një procedure disamujore u dërgua si punëtor në një pulari çeke.

Por, ndryshe nga sa ishte informuar, aty e priti një punë e rëndë, ndërsa paga ishte gati sa ajo minimale në vend.

Fabrika e ndodhur 80 km në jugperëndim të Pragës është pjesë e sipërmarrjeve “Agrofert”, të miliarderit çek dhe shefit aktual të ekzekutivit, Andrej Babis, një politikan populist që nuk rresht së hedhuri parulla kundër emigracionit, e që falë këtij qëndrimi siguroi edhe shumë vota në zgjedhjet e fundit.

Por, në fabrikat e “Agrofert” punojnë kryesisht punëtorë nga vende jo anëtare të BE-së, mes tyre nga Vietnami, Ukraina dhe Mongolia. Pa ta, jo vetëm kjo firmë, por edhe shumë sipërmarrje në vend do të kishin shumë probleme, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Pagesat e tyre janë të ulëta, e shumica kanë ardhur në Çeki përmes rrugëve të dyshimta. Kryeministri miliarder, ndërkohë, është prej kohësh në qendër të kritikave. Sipas një vendimi të gjykatës, ai ka qenë dikur punonjës i shërbimit sekret komunist, e në fillim të viteve ’90 u bë pronari i “Agrofert” në rrethana të paqarta.