Kryesore “Kryengritje si Skënderbeu”, Manja: Bashës i doli gjumi e po ndan ftesa...

“Kryengritje si Skënderbeu”, Manja: Bashës i doli gjumi e po ndan ftesa dasme

Në ndalesën që bëri sot në Krujë për të ftuar qytetarët që të protestojnë pasivisht më 16 shkurt kundër qeverisë së Edi Rama, kryedemokrati Lulzim Basha duke përdorur kartën e nacionalistit, kërkoi kryengritje siç Skënderbeu bëri ndaj osmanëve 500 vjet më parë.

Kjo deklaratë e Bashës duket se nuk e tremb mazhorancën, pasi kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka ironizuar kreun e PD, duke thënë se më 16 shkurt nuk do ketë protestë të dhunshme.

Sipas Manjës, nëse diçka e tillë ndodh, atëherë kjo do e largonte gjithnjë e më shumë opozitën nga mundësia për të ardhur në pushtet përmes votës së qytetarëve.

Shqipëria pret çeljen e negociatave në qershor. Nuk mund të ketë rrëzim të pushteti me dhunë. Ai thotë ikni ju sepse nuk ju mundim me votë që të na e lini fushën të lirë. Opozita nuk bëri asnjë ankimim për zgjedhjet e 2017. Dhuna në një protestë qytetare e largon ardhjen në pushtet. E dhunshme ishte protesta që çoi në djegien e bunkerit te Ministria e Brendshme. Por nuk di që pas kësaj opozita të ketë ardhur në pushtet”, u shpreh Manja.

Më tej deputeti i PS në “Repolitix”, me sarkazëm therëse shigjetoi Bashën, duke thënë se kreu i PD më në fund u ngrit nga gjumi dhe po del rrugëve të shpërndajë ftesa dasme.

“Kam frikë se nuk është thelluar në ato që ka thënë. Shqipëria nuk është në ato kushte dhe z.Basha nuk është në gjendje të bëjë atë që bëri Skënderbeu. Ka thirrur një protestë në 16 shkurt, vetë Basha ka dalë të shpërndajë ftesat si ftesa dasme. E kanë njoftuar protestën që para dy muajsh. Por shyqyr që doli që të takojë njerëzit pas atij gjumi të gjatë. Me protestën e 16 shkurtit Z.Basha nuk frikëson njeri”, theksoi Manja.