Aktualitet Kryepeshkopi: Histeria e konsumizmit rrudh interesin fetar të Krishtlindjes

Kryepeshkopi: Histeria e konsumizmit rrudh interesin fetar të Krishtlindjes

Perëndia është Dashuri. Ky është mesazhi i sivjetshëm i kryepeshkopit Anastas për të gjithë besimtaret ortodoksë me rastin e Krishtlindjes, ku kritikon kuptimin që ka marrë në ditët tona kjo festë.

“Për shkak të mënyrës si kremtohet në vendet tona të shekullarizuara, shpeshherë kuptimi i Krishtlindjes tjetërsohet”, tha kryepeshkopi Anastas.

Sipas kryepeshkopit Anastas, histeria e konsumizmit dhe indiferencës shpirtërore e rrudhin interesin fetar që përmban kjo festë.

“Kisha këmbëngul të zbulojë kuptimin esencial të së kremtes: “Perëndia është dashuri”.

“Një dashuri që tërheq respektin dhe admirimin e gjithanshëm dhe pranohet si vlera kryesore mbarënjerëzore. Por kjo dashuri, vijon ai, po tjetërsohet në aq shumë forma saqë njeriu pyet veten: Ku është dashuria që humbi në erotizëm? Dhe ku është erosi që humbi në pasione, të cilat vështirë se mund t’i nxërë goja e njeriut?”

“Le të përpiqemi ta jetojmë dashurinë ashti siç na e mëson Krishti, të mbushur me përulësi, paqe dhe ndjeshmëri sociale, dhe pa dallim. Gëzuar Krishtlindjen”, uroi kryepeshkopi Anastas.