Bota “Ktheni miellin në furra”, opozita revoltohet me deklaratën e Albin Kurtit

“Ktheni miellin në furra”, opozita revoltohet me deklaratën e Albin Kurtit

Që kur ka filluar pushtimi rus në Ukrainë, qytetarët e Kosovës kanë filluar të blejnë në sasi të madhe thasë me miell dhe vaj nga frika e ndikimit të luftës në Ukrainë.

Përveç rritjes së çmimeve, ata i druhen edhe rifillimit të një konflikti me Serbinë, aleates kryesore të Rusisë në Ballkan që e mohon pavarësinë e Kosovës.

Në dyqanet e Prishtinës raftet e produkteve bazë janë zbrazur.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e quajti të panevojshëm blerjen në sasi të madhe të miellit duke insistuar se nuk ka vend për panik. Ai u kërkoi qytetarëve ta kthejnë mbrapsht tepricën.

“Të gjithë qytetarët të cilët mund të kenë blerë më shumë se që iu nevojitet, i kisha inkurajuar që miellin ta dërgojnë në furrë, sepse nuk ka vend për panik”, theksoi Kurti.

Kjo deklaratë e Kurtit ngjalli reagime të shumta nga opozita, që e cilësojnë absurde këtë thirrje.

“Qytetarët e kuptuan situatën dhe në mungesë të sigurimit të miellit nga shteti, u detyruan të sigurojnë për vete. Ndërsa sot Kurti doli e u bëri thirrje qytetarëve që ta kthejnë miellin nëpër furra sepse tha se s’ka vend për panik. Nëse s’ka vend për panik dhe ka miell mjaftueshëm, pse po kërkon të dërgohet mielli në furra”, tha aktivisti nga Partia Social-Demokrate, Bardh Ahmeti.

“Kurti sot tallet me qytetarë nëpër media e rrjete sociale duke i lutur që ta kthejnë miellin në furra, ndërsa dje për të fshehur keqqeverisjen e tij ngjallte panik në popull sikur lufta ka nisur. Shpresojmë që pas Fondit të Diasporës, Fondit për Ushtri, dhe Fondit për Ukrainën mos të dal edhe me ndonjë ide për ndonjë fond tjetër sepse ky përveç idesë me hapë fonde ide për të qeverisur nuk ka”, ka thënë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Ish-ministri i Bujqësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për mediat në Kosovë se është qesharake deklarate e Kurtit drejtuar qytetarëve që të kthejnë miellin në furra.

“Në vend që kryeministri të gjejë zgjidhje për krizën ai thotë ‘qytetarët të kthejnë miellin në furra’. E gjithë bota po thotë që ka krizë derisa ne po themi që s’ka. Po e shohim që nuk ka asnjë veprim konkret pos thirrjes publike të kryeministrit ‘aman kthejeni miellin në furra’. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Mustafa.

Kurti u ka u bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe garantoi se vendi ka rezervë të miellit mjaftueshëm për 5 muajt e ardhshëm.

“Ka rezerva, dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të ndihen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Unë i takova drejtuesit e shoqatës së mullisëve, të cilët më siguruan që në Kosovë edhe për 2 muaj ka grurë që ende nuk është bluar, ndërkaq, në muajin e kaluar kanë bluar grurë dhe tash ka miell edhe për së paku 3 muaj. Pra, 3 muaj plus 2 muaj”, tha Kurti.

Në Kosovë janë rritur çmimet e të gjitha produkteve ushqimore bazë.

Kurti tha se qeveria po merr masa që fermerëve dhe bujqve t’iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro. Ky program, do të shpallet brenda muajit.

Rritjen e çmimeve, Kurti e quajti “kosto të lirisë dhe demokracisë” sepse sulmi rus në Ukrainë po dikton rritjen e çmimeve dhe se qeveria nuk i vendos ato, e aq më pak ai personalisht.

Kritikët e Kurtit e kanë akuzuar qeverinë e tij për përgjigje të ngathtë me krizën energjetike që ka filluar muaj më parë në Kosovë dhe tani e kritikojnë për menaxhimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë.

Në Kosovë paga minimale është 130-170 euro, më e ulëta në Ballkan, ndërkohë që llogaritet që rreth 30% e popullatës është e papunë dhe rreth 25% e popullatës jeton në varfëri.