Sport “Kthim në të ardhmen”, moduli i ri dhe blerjet që do Allegri

“Kthim në të ardhmen”, moduli i ri dhe blerjet që do Allegri

Në Serinë A vazhdon gara e fortë për arritjen e objektivave, sidomos për zonën Champions, ndërkohë që Juventusi, i shpallur matematikisht kampion i Italisë, ka nisur të planifikojë sezonin e ri, që për bardhezinjtë do të nisë me një objektiv madhor: fitimin e Championsit.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Massimilano Allegri kërkon të rrisë cilësinë e organikës bardhezi duke bërë një minirevolucion. Gjatë gjysmës së parë të muajit majit do të zhvillohet një takim mes trajnerit dhe presidentit Andrea Agnelli, ku numrit 1 të klubit do t’i paraqiten në tryeza kërkesat teknike.

Alleri do të kërkojë rritje page, për t’u shndërruar në një ndër trajnerët më të paguar në qarkullim (kontrata e tij përfundon në vitin 2020) e pa dyshim do të flitet edhe për fushën e merkatos.

Në veçanti, Allegri por mendon të ndryshojë sistemin e lojës, duke u kthyer te moduli 4-3-1-2, me të cilin fitoi titullin e parë kampion me Milanin dhe siguroi finalen e Championsit me Juventusin.

Mund të konsiderohet që rikthim në të ardhmen për Allegrin, që po mendon të përdorë Aaron Ramsey-n në rolin e trekuartistit dhe t’i kërkojë Agnellit një qendërmbrojtës, një anësor të djathtë dhe një mesfushor qendre.

Para mbrojtjes Allegri dëshiron të aktivizojë një mesfushor më fizik se Pjanic (gjatë verës mund të shitet). Në krye të listës është Tanguy Ndombelé i datëlindjes 1996, për të cilin Lyoni kërkon 70 milionë euro.

Për rolin e mbrojtësit, që duhet të alternohet me Chiellinin, pëlqehen Samuel Umtiti i Barcelonës, Savic i Atleticos dhe Ruben Dias i Benficas (portugezët kërkojnë 60 milionë euro). Më i arritshëm Kostas Manolas, që me klauzolën largimi 36 milionë euro mund të ndahet më lehtë nga Roma.

Për pozicionin e anësorit të djathtë Allegri po mendon për Sidibe të Monacos, që është i aftë të luajë edhe në të majtë. Për të njëjtin rol pëlqehet edhe Trippier i Tottenhamit.

Sa u përket largimeve, me ndryshimin e modulit duket i sigurt ndarja me Douglas Costan, ndërsa pozicionet e Cuadrados dhe Dybalas mbeten për t’u vlerësuar. Kolumbiani mund të kërkojë rinovimin, pasi kontrata aktuale i përfundon në vitin 2020, ndërsa argjentinasi mund të marrë një fanellë titullari në modulin 4-3-1-2.