Aktualitet “Kthimi në identitet”, Kisha 237-vjeçare e Shën Prokopit do të rikonstruktohet

“Kthimi në identitet”, Kisha 237-vjeçare e Shën Prokopit do të rikonstruktohet

Kisha e Shën Prokopit në Parkun e Liqenit të Tiranës, e ndërtuar në vitin 1780, do të rikonstruktohet.

Kisha dhe mjedisi përreth saj do të restaurohet plotësisht, për ta kthyer në identitet.

“Në këtë prag Krishtlindjesh, kemi një lajm edhe për kishën që ndodhet te Liqeni, e cila u shkatërrua gjatë kohës së komunizmit. Kisha e famshme e Shën Prokopit, e kthyer në një restorant, sot i është kthyer kishës, por vazhdon të duket si bar-bufe sovjetike e viteve ‘70-‘80. Kemi marrë një vendim për ta rikthyer kishën siç ka qenë, për t’u siguruar që jo vetëm komunitetet e besimit, por edhe Liqeni që është ndërtuar rreth kishës së Shën Prokopit, të kthehet në identitet të plotë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se restaurimi i këtij objekti kulti dhe rehabilitimi e hapësirës së Parkut të Madh, krijon një xhevahir të vogël në kryeqytet.

“Kisha e liqenit nuk do jetë më një vend ku kryhen shërbesat në bar-bufenë e realizmit socialist, por një vend i cili ka gjithë karakteristikat identike të kishës së vjetër që u prish. Bashkë me kompleksin e Amfiteatrit, rregullimin e Varrezave të Ushtarëve, fushat e reja sportive multifunksionale dhe rrugicat e reja “1000 selvitë”, them që kemi krijuar një xhevahir të vogël në Tiranë”.

Duke u ndalur tek aksioni për mbjelljen e 100 pemëve të reja, kryebashkiaku Veliaj njoftoi plotësimin me pemë të të gjithë rrugës së “1000 Selvive” brenda Parkut të Liqenit Artificial, që fillon nga Kisha Orthodokse dhe përfundon tek Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave.