Sport Kualifikim mes drithërimash, penalltitë nderojnë Brazilin

Kualifikim mes drithërimash, penalltitë nderojnë Brazilin

Brazili vuan, por në fund feston një kualifikim të merituar. Seleçao arriti të thyente tabunë Paraguai vetëm pas goditjes së penalltive sepse 90 minutat e kohës së rregullt nuk prodhuan asnjë gol, ndërkohë dihet që në Copa America nuk ka shtesa dhe shkohet direkt te penalltitë.

Edhe pse Paraguai luajti për më shumë se 30 minuta me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Balbuena, Coutinho, Firmino e Gabriel Jesus me shokë nuk arritën të thyenin dot rezistencën e portierit të miqëve Fernandez.

Nga pika e bardhë e 11-metërshit brazilianët u treguan më të saktë pasi humbën vetëm një penallti kundrejt 2 të Paraguait duke fituar 4-3. Për skuadrën e Tites gaboi vetëm Firmino, ndërsa realizuan me rradhë, Willian, Marquinhos, Coutinho e Gabriel Jesus, ndërkohë që paraguianët dështuan të realizonin në penalltinë e parë dhe atë të fundit me ish-mbrojtësin e Milanit Gustavo Gomez dhe sulmuesin anësor Derlis Gonzalez.

Tashmë Brazili shikon nga gjysmëfinalet dhe pret i qetë emrin e kundërshtarit të ardhshëm që do të jetë një mes Venezuelës dhe Argjentinës.