Bota Kufiri SHBA-Meksikë po kthehet në një bombë me sahat

Kufiri SHBA-Meksikë po kthehet në një bombë me sahat

Emigrantë, interesa ekonomike dhe presion nga presidenti amerikan, Donald Trump: Meksika është e përçarë dhe vala e pafund e refugjatëve po e vendos vendin gjithnjë e më shumë para një sprove.

Shtëpia e Altagracia Tamayos është plot. 141 refugjatë nga Amerika Qendrore strehon aktivisja e fortë në 30 dhomat e qendrës së marrë me qira në qytetin verior meksikan, Meksikali. Shpesh asaj i duhet që të kthejë shumë nga refugjatët e rinj. Kolegu i saj Santiago Reygoza ndërkohë ka marrë me qira një teatër të vjetër duke e shndërruar në qendër refugjatësh. Aty Altagracia dërgon më shpesh djemtë e rinj, Teatri me godinë gati të rrënuar nuk është vendi më i mirë, por të paktën ata nuk flenë në pikun e vapës në parkun e qytetit gati shkretëtirë, thotë ajo.

Migrantët – mjet përfitimi për kontrabandistët

2000 shtretër për refugjatë ka në qytetin kufitar. Por si në Tijuana shtretërit po mbushen, që kur refugjatët vijnë në karvanë të gjatë. SHBA po kthen gjithnjë e më shumë vetë. Meksikën ata e deklaruan si vend të tretë. Kjo do të thotë që azilkërkuesit nuk presin në SHBA, por në Meksikë për përgjigjen e azilit, muaj me radhë. Pa letra, pa punë fikse, pa të drejtë për një vend në shkollë apo studimi.

Refugjatë në Meksikali

Migrantët kthehen kështu në një gjah për kontrabandistët. Qeveria meksikane ndërkohë ka ndërprerë ndihmat për strehimoret private. Një sfidë e madhe për Tamayon që të mbledhë fonde. Solidariteti i popullsisë bie gjithnjë e më tepër sa më shumë e zakonshme që bëhet pamja e migrantëve lypës. Kësaj i shtohet edhe fushata armiqësore e grupimeve djathtiste në internet. “Në kufi po përgatitet një bombë me sahat”, paralajmëron Tamayo.

Nuk kishte rrugë tjetër – vetëm largim

Kufiri amerikan është vetëm disa qindra metra larg strehimores rozë. Por për shumicën e migrantëve këtu merr fund fillimisht odiseja e rrezikshme nga vendlindja. Edhe për 12-vjeçaren Hillary Velasquez, që bashkë me nënën e dy vëllezërit u largua me karvanin e refugjatëve nga Hodurasi. Hillary-ja e gjallë dhe e hollë i ra në sy njërit prej bosëve të bandave kriminale të të rinjve në qytetin e saj të lindjes, San Pedro Sula. Ai i kërkoi nënës që t’ia jepte vajzën. Që për Hillarynë do të thoshte përdhunim, shtatzani të hershme, ndërprerje e shkollës, në një kohë që ajo dëshiron të bëhet infermiere si nëna e saj.

Hillary me vëllezërit e saj

Familja kaloi në një qytet tjetër, por bandat janë kudo prezente dhe të ndërlidhura. Edhe aty u zbuluan. Një denoncim në polici do të ishte baraz me një dënim me vdekje. Familja nuk kishte rrugë tjetër, vetëm arratinë e shpejtë.

“Ne marrim azil, vetëm kur kemi vdekur”

Familja Velasquez ka kërkuar azil, seanca e parë dëgjimore është në fund të majit, jo në Caleksiko, në SHBA, në anën tjetër të Meksikalit, por 200 kilometra më tutje në San Diego. „Si do të shkojmë atje kur nuk kemi para? Pse na vënë kaq shumë pengesa? Besoj se do të na japin azil, kur të kemi vdekur”, thotë Hillary-ja e dëshpëruar. Më e keqja për të nuk ishin orët e gjata të marshimit apo kërcënimet e policisë meksikane, por „pritja kaq pranë qëllimit”, thotë Hillary.

Kelly Overton nga organizata amerikane “Border Kindness” thotë se „kjo është një taktikë dërrmuese, që azilkërkuesit të dorëzohen”. Kjo organizatë mbështet fëmijët me ushqime dhe ilaçe dhe u ndihmon në rrugët e vështira të xhunglës burokratike. Sipas kushtetutës SHBA janë të detyruara të japin azil, por presidenti Trump përdor të gjitha mënyrat se si ta mënjanojë këtë, duke i bërë me pagesë kërkesat për azil për shembull.

Ndërkohë që presioni i kësaj vale refugjatësh po godet gjithnjë e më shumë Meksikën, megjithëse shumica e refugjatëve nuk vijnë nga ky vend. Meksika si vend tranzit e ka shumë të vështirë. Kur presidenti Andres Manuel López Obrador respekton Konventën e OKB-së dhe të drejtat e migrantëve, Trump zemërohet dhe kërcënon me mbylljen e kufirit, nga i cili varet 80% e tregtisë meksikane me vendet e tjera.

Nëse i kthen migrantët, Trumpi duartroket, por proteston OKB-ja dhe organizatat për të drejtat e njeriut. Lopez Obrador përpiqet të bëjë të pamundurën. Ideja e tij “qëndroni në Meksikë”, me një program integrimi nuk funksionon. Sepse refugjatët nuk duan të qëndrojnë aty. Ata duan të shkojnë në SHBA, ku ka rroga më të mira dhe shpesh jetojnë edhe të afërmit.

13.643 emigrantë ka kthyer Meksika në janar dhe shkurt, më shumë se SHBA. “Refugjatët janë top loje i politikës”, thotë Tamayo. “Me ta mund të fitosh zgjedhjet dhe t’i japësh punë industrisë së ruajtjes së sigurisë”, si për shembull për murin e Trumpit. “Por kjo nuk ka për t’i penguar ata, sepse shumica e refugjatëve nuk ka zgjidhje tjetër.”

Sandra Weiss/DW