Kulturë “Kujtojmë për të mos harruar”, piktori Gjergj Kola çel në Itali ekspozitën...

“Kujtojmë për të mos harruar”, piktori Gjergj Kola çel në Itali ekspozitën kundër gjenocidit

Një ekspozitë mjaft e veçantë ajo e piktorit të mirënjohur shqiptar Gjergj Kola, i cili prej vitesh e ushtron aktivitetin e tij jashtë vendit, ku është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme. Ekspozita e tij më e fundit titullohet “Kujtojmë për të mos harruar”, organizuar nga komuna e Arcos, në Trentino, Itali. Kjo ekspozitë e cila mbart një tematikë mjaft delikate, atë të kujtimit të viktimave të masakrave naziste ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore do të qëndrojë hapur nga data 19 janar deri më 10 shkurt 2020 në Palazzo Panni.

Tematika e pikturave lidhet jo vetëm me Holokaustin, por disa tablo i dedikohen edhe gjenocidit serb ndaj popullit të Kosovës, gjenocidit të turqve ndaj ponteve dhe diskriminimit që historikisht i është bërë njeriut për arsye raciale, politike, fetare etj. Disa nga këto punë janë ekspozuar edhe në disa vende të tjera brenda harkut kohor 1999-2020 dhe janë pjesë koleksionesh në Itali, Angli, Greqi.

“Kjo temë tragjike vjen në punën time si një protestë paqësore kundër një gjenocidi makabër që duhet kujtuar për të mos u përsëritur më kurrë. Ashtu si e gjithë puna ime edhe këto tablo subjekt i të cilave janë viktimat e masakrës çnjerëzore të tendencës së zhdukjes dhe masakrimit të njerëzve të pafajshëm nga njerëz të ekzaltuar nga egoizmi dhe prepotenca ekstreme. Në saj të virtyteve të larta morale dhe njerëzore, populli shqiptar mbrojti dhe arriti të mos dorëzoj asnjë hebre në duart gjakatare të nazistëve dhe kjo sigurisht përbën një vlerë të padiskutueshme njerëzore që gjithashtu duhet kujtuar jo për tu krekosur por për t’ju dhënë të kuptojnë atyre që nuk e dinë se vlerat dhe dinjiteti i një populli shihen në momente të vështira dhe vërtetohen në praktikë. Kjo temë dhe portreti i Ajshtanjit kanë një vëmendje të veçantë në ekspozitë ku besoj se i jep një dimension tjetër temës kryesore“, shprehet piktori Gjergj Kola, i cili është larguar nga Shqipëria në vitet 90-të, së bashku me familjen e tij, dhe ka hapur dhjetëra ekspozita kryesisht në Greqi dhe Itali, vendet ku ka jetuar.