Sport Kumbulla: Historia e popullit tim më bën të jap më të mirën

Kumbulla: Historia e popullit tim më bën të jap më të mirën

Marash Kumbulla ishte surpriza e bukur e këtij sezoni të ndërprerë në Serie A. Paraqitjet e tij mbresëlënëse me Veronën kanë bërë që klubet më të mira në Evropë të kërkojnë shërbimet e 20 vjeçarit me origjinë shqiptare e të lindur në Peschiera del Gadra.

Gazeta italiane “Corriere Della Sera” realizoi një intervistë me mbrojtësin që pritet të jetë e ardhmja e kombëtares shqiptare, ku ai flet për sukseset e këtij sezoni, ditët në karantinë dhe të ardhmen.

“Le të themi që të rinjtë shqiptarë vijnë nga një kulturë ndryshe, që i lejon ata të kenë më shumë stimuj e më shumë ambicie. Traditat dhe historia e popullit tim, më përcjellin një ndjenjë të fortë të përkatësisë. Është një ndjenjë që më shtyn të jap gjithmonë më të mirën, u shpreh Kumbulla.

Kumbulla shprehet se momenti më i bukur për atë këtë sezon ishte ndeshja ndaj Juventusit, kur festoi edhe ditëlindjen. “Deri tani është nata më e bukur e jetës time, pasi e kam festuar me fitoren ndaj Juventusit dhe për pak më iku edhe goli (iu anulua nga VAR-i). Pas ndeshjes nuk arrija të flija, për shkak të adrenalinës që kisha brenda vetes. Është një nga ato takime që do t’i mbaj gjithmonë në zemër”.

Në ditët e karantinës, Marashi shprehet se ka mësuar të përgatisë disa pjata. “Rizotoja tradicionale këtu në Verona, me mish të grirë të kripur, sallatë e speca”.

Cili është synimi i Kumbullës? “Të luaj në Champions League”, thotë ai.

Marash Kumbulla foli edhe për 30 mjekët shqiptarë që shkuan në Itali për t’u bashkuar në luftën ndaj koronavirusit. “Jam krenar për një gjest të tillë, në një moment të vështirë për Italinë, që i është gjendur gjithmonë në krah Shqipërisë, kur ajo ka pasur nevojë. Falënderoj Ramën dhe mjekët që kanë ardhur në Itali”, tha Kumbulla për median italiane.