Aktualitet Kundërshtojnë oraret e reja në Pashaliman, peshkatarë dhe biznese në protestë

Kundërshtojnë oraret e reja në Pashaliman, peshkatarë dhe biznese në protestë

Mëngjesin e sotëm rruga që të çon për në Pashaliman u bllokua. Peshkatarë dhe punonjës biznesesh protestuan kundër orareve të reja që janë vendosur për kalimin në këtë zonë.

Oraret janë vendosur disa ditë më parë me qëllim parandalimin e bimëve narkotike në këtë zonë, por edhe për sigurinë e bazës ushtarake.

Sipas këtij urdhri të ri, në Pashaliman lejohet lëvizja nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 15.00.

Por kjo duket se i ka penguar ata që kanë biznese në këtë territor dhe që thonë se duhet të punojnë 24 orë.

Bashkë me ta dhe peshkatarët kanë kërkuar të rishikohet ky urdhër, ndryshe do të përshkallëzojnë protestën.