Sport Kupa Italisë, Allegri: Pres që Dybala të shënojë

Kupa Italisë, Allegri: Pres që Dybala të shënojë

Juventusi do të zbresë në fushë nesër në mbrëmje, ku do të përballet me Xhenoan, për një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë.

Massimiliano Allegri ka konfirmuar se Paulo Dybala do të luajë titullar, ndërsa i ka bërë thirrje argjentinasit, që të shfrytëzojë rastin dhe të tregojë veten.

“Mund të konfirmoj se nga minuta e parë do të luajnë Dybala, Bernardeschi dhe Rugani. Kjo është një mundësi e mirë për Paulon që të zhbllokohet dhe të tregojë vlerat e tij. Mund të luajë në sulm me Higuainin, ose vetëm, por kjo nuk ka rëndësi”, u shpreh Allegri.

Xhenoa ka ndryshuar shumë me ardhjen e Ballardinit në stol, duke u bërë një ekip mjaft solid dhe mund t’i hapë punë edhe bardhezinjve nesër.

Gjithsesi, Allegri i ka idetë e qarta dhe kërkon kualifikimin me çod kusht.

“Xhenoa është një ekip mjaft i mirë, që me Ballardinin vendoset mirë dhe jam i sigurt që nuk do të jetë aspak e lehtë. Gjithsesi, dua kualifikimin dhe nuk pranoj asnjë justifikim nga lojtarët që do të zbresin në fushë”, u shpreh trajneri i Juventusit.

Nëse kalon në çerekfinale, Juventusi do të përballet me të kualifikuarën e çiftit Roma-Torino, me kryeqytetasit që do të zbresin në ‘Allianz Stadium’ edhe këtë fundjavë.

“Roma është një skuadër mjaft e mirë. Edhe Di Francesco ka bërë mjaft mirë te Sassuolo dhe po vijon edhe në kryeqytet. Edhe ata kanë shanset e tyre për të fituar titullin këtë sezon, ashtu si 5 skuadrat që janë në krye”, deklaroi Allegri.