Opinione Kur hiqen maskat

Kur hiqen maskat

Nga Viktor Malaj

Maskat janë një mjet që, prej shumë kohësh, kanë gjetur përdorim në shumë veprimtari individuale dhe shoqërore. Përdoruesi i maskës synon që të duket se është dikush tjetër nga ai që është në të vërtetë. Kur maskat përdoren në teatër apo në festivale karnavalesh shkaktojnë kureshtje apo zbavitje; kur përdoren nga keqbërësit për të kryer krime shkaktojnë dëme, frikë dhe pasiguri; kur maskat përdoren në politikë, ato synojnë të krijojnë besim që, herët a vonë përfundon në zhgënjim.

Maskimet politike janë të dëmshme sepse ato nuk fshehin thjesht fytyrën por mendimet, moralin dhe qëllimet e personit që maskohet. Në një mënyrë apo tjetër thuajse të gjithë politikanët maskohen pas frazave, programeve dhe gojëtarisë së rreme në përpjekje për të bindur sa më shumë njerëz që t’i mbështesin e votojnë në rrugën e tyre për pushtet.

Përveç Sali Berishës, gjithë jeta dhe veprimtaria politike e të cilit është një maskaradë e shkallës më të lartë, edhe politikanët e tjerë kryesor Rama, Basha dhe Meta e kanë përdorur maskimin politik si mjet për arritjen e synimeve të tyre. Për Lulzim Bashën dhe “Republikën e Re” të tij si falsitete politike të kthjellëta ose, siç thoshte Jozefina Topalli, “I rremë është fjala që e përshkruan më mirë Kryetarin e Republikës së Re”, kam shkruar herë të tjera. Sot po shfaq disa mendime lidhur me dy politikanët e tjerë kryesorë.

Të paktë duhet të kenë qenë shqiptarët që kanë besuar në sinqeritetin e nënshkruesve të aleancës parazgjedhore të 1 prillit 2013 midis PS-së dhe LSI-së, në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të sinqertë për të përmbushur programin qeverisës që u ravijëzua në atë kohë. Elektorati i quajtur i djathtë nuk mund të besonte, sepse kishte parasysh përvojën e aleancës të vitit 2009, kur “e majta” LSI i kishte hedhur pas krahëve sa hap e mbyll sytë të gjitha ato që kishte thënë në fushatën zgjedhore për PD dhe, pashmangshëm, edhe ato që kishin thënë për njëri-tjetrin ndër vite Ilir Meta dhe Sali Berisha. Zgjedhësit e majtë nuk e kishin kapërdirë dot aleancën e 2009 midis LSI dhe PD. Ishte shumë e hidhur për ta që vota e të majtëve u tradhtua. Ndërkaq, në prillin e 2013 e kishin ende para syve korrupsionin që lulëzoi gjatë qeverisjes, bashkë me rrjedhojën e tërthortë, ngjarjen kriminale të 21 janarit.

Në kushtet që marrëveshja u nënshkrua do të ishte e pandershme që për këtë të fajësohej vetëm njëra palë. Tani, pasi kemi ndjekur katër vjet “festivalin politik” shqiptar dhe kemi parë shumë ndodhi të paparashikuara, të pamenduara dhe të papeshuara, vëmë re se armiqësia më e madhe po demonstrohet midis këtyre dy forcave politike që para disa vitesh ishin vetëm një.

Gjatë këtyre ditëve që fushata për zgjedhjet ka nisur, Kryeministri ka pohuar disa herë se nuk duhet votuar për partitë e vogla, duke përfshirë edhe LSI-në, sepse ato shndërrohen në pengmarrse të pushtetit dhe në kufizuese të veprimtarisë qeveritare nëse janë pjesë e koalicioneve. Ky nuk është gjë tjetër veçse një pohim i atyre fakteve dhe përfundimeve që shumica dërmuese e shqiptarëve i kanë ditur dhe i kanë pëshpëritur në mjedise të ngushta. E, ndërsa pohimi i mësipërm është krejt i vërtetë, ai nuk mund të shërbejë si mjet përligjës për gabimet dhe mosarritjet e qeverisë gjatë katër viteve të fundit. Nuk ka dyshim se mosarritja më e madhe e qeverisë ka qenë premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Për ata që i besojnë arsyes më shumë se politikës ky premtim zgjedhor, ashtu si të tjerë të ngjashëm të mëparshëm apo të sotëm, të bërë nga PS dhe partitë e tjera, ishte dhe mbetet i parealizueshëm për shumë shkaqe objektive e subjektive, të brendshme dhe ndërkombëtare.

Natyrisht që nuk mund të besosh se mosarritja e këtij premtimi ka pasur si shkaktar kryesor LSI-në, për më pak aleatët e tjerë në qeverisje. Gjithashtu, aleatët qeverisës nuk mund të jenë fajtorët kryesorë pse në qeveri dhe në institucione të tjera qendrore ka pasur figura aspak të merituara, individë të paaftë për detyra administrative dhe me formim moral të papërshtatshëm për të kryer detyra shtetërore. LSI-ja nuk mund të jetë përgjegjëse për daljen jashtë kontrollit të situatës së bimëve narkotike gjatë vitit të fundit, as për disa koncesione të panevojshme dhe të dyshimta të bëra gjatë katër viteve, as për shkeljen e rregullave statusore në PS dhe largimin e pamotivuar dhe të gabuar të disa figurave me vlera intelektuale e morale dhe me kontribute të shquara nga organet drejtuese partiake, as për qëndrime mospërfillëse të qeverisë ndaj disa nevojave elementare qytetare dhe kritikave të vazhdueshme të bëra nga media.

Po për çfarë është përgjegjëse LSI-ja? Tek forumet drejtuese dhe, sidomos, tek anëtarësia dhe militantët e bazës së saj u ngurtësua bindja se ata ishin dielli rreth të cilit silleshin dhe duhej të silleshin të gjitha planetët-parti politike, pavarësisht madhësisë së tyre; se pa LSI-në nuk mund të krijonte askush qeveri dhe se kur ajo të donte mund t’i rrëzonte ato dhe, çfarë është më e keqja, u krijua bindja e përjetësisë në pushtet. Kjo bindje, gjithkund dhe gjithmonë, shoqërohet me afrimin vullnetar jo vetëm të nevojtarëve, por të gjithfarë horrash që gjuajnë për poste e privilegje dhe sapo iu jepet mundësia nuk lënë gjë pa bërë pasi ideja e qënies gjithnjë në pushtet iu krijon edhe sigurinë e rreme se nuk do të ndëshkohen kurrë për ligjshkeljet e tyre. Në këtë mënyrë ata vazhdojnë të punojnë në çdo administratë, të majtë e të djathtë, të vjelin dhe të shijnë në ara dhe lëmenj që s’janë të tyre dhe, më e zeza, të mos ndëshkohen duke bërë që çmimin më të madh të keqqeverisjes ta paguajnë partitë e mëdha. Panorama bëhet edhe më e qartë kur i vlerësojmë këto bashkë me politikën e ndjekur nga drejtuesit e LSI-së që gjatë bashkëqeverisjes bëjnë shpesh opozitarin dhe, sidomos, dy-tre muaj para datës së zgjedhjeve të reja i paraqiten publikut shqiptar duarlarë sikur të kenë qenë në opozitë. Kjo sjellje synon të tërheq votën e individëve të pakënaqur nga të dy krahët kryesorë të politikës.

Gjatë katër viteve bashkëqeverisje LSI-ja dhe, veçanërisht, kryetari i saj bënë çmos të paraqiteshin si të moderuar, si palë e mirë midis dy të këqijave, si paqësorë dhe gjakftohtë dhe, madje, edhe si “pajtues gjaqesh”. Një qëndrim i tillë prej babaxhani, i mbajtur vend e pavend, ndërkohë që ishte dashur t’u përmbaheshin kërkesave të marrëveshjes së bashkëqeverisjes, u zvetënua (degjeneroi) në format e tij më të dëmshme kur erdhi koha për miratimin e Reformës në Drejtësi dhe, së fundi, kur opozita u fut nën çadër. Këto qëndrime që nuk lidheshin asgjëkund me parimësinë demokratike të bashkëqeverisjes sollën edhe vonesat në miratimin e reformës, por edhe pasojat e pasçadrizmit që po i shohim sot.

Të jesh pjesë e qeverisjes dhe të thuash se nuk futem në zgjedhje pa opozitën edhe pse e di dhe e pohon se pretendimet e saj (opozitës) dhe veprimi i mbylljes në çadër ishin të gënjeshtërta, ngre dyshime serioze për besueshmërinë tënde. Por kur e përsërit këtë qëndrim edhe pasi kancelaritë perëndimore e dënuan çadrizmin duke pohuar legjitimitetin e zgjedhjeve edhe pa opozitën, bëhet e qartë se veprimet e tua nuk burojnë nga kurrfarë parimesh, por thjesht janë manovra dhe hile politike në kurriz të bashkëqeverisjes dhe të normalitetit demokratik për të arritur objektiva që mund t’i vlejnë partisë, por aspak qeverisjes dhe shoqërisë.

Kur LSI filloi të dyshojë se Rama dhe Basha mund të jenë marrë vesh për ta nxjerrë atë jashtë qeverisjes së ardhshme atëherë maskat u hoqën  dhe “dashuria dhe qetësia” u shndërruan në hidhërim, gjaknxehtësi dhe në shfrime zemërimi me etiketime deri ordinere. Kjo tregon se qetësia dhe “moderacioni” i mëparshëm buronin nga siguria e pushtetit që vinte nga gatishmëria për t’iu bashkëngjitur cilitdo fitues zgjedhjesh. Tani, Meta e akuzon Ramën (me të drejtë) se ka lënë në hije apo eleminuar një numër figurash të rëndësishme në PS por “harron” se ai vetë i pati shkëputur PS-së një të katërtën e anëtarësisë dhe të zgjedhësve. Ai pretendon se e pati bërë këtë për shkaqe parimore por, nga ana tjetër mburret se ishte meritë e tij që e solli PD-në dy herë në pushtet (2005 dhe 2009) kundër PS-së dhe se mundësoi zgjedhjen e Bashës në krye të bashkisë së Tiranës (2011), jo dhe aq në kurriz të Edi Ramës sesa të socialistëve të thjeshtë.

Edhe këto “ndere” që i ka bërë PD-së Meta përpiqet t’i shesë për akte dhe sjellje parimore, por njerëzit nuk mund të kuptojnë se si mund të jenë parimore veprimet politike që ndihmojnë riciklimin në pushtet të një partie dhe, sidomos, të një njeriu që ka dhunuar jo vetëm opozitën politike, por edhe gjithë normat e shtetit demokratik gjatë karrierës politike deri në konfrontimin e armatosur me popullin e vendit të vet, vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe tentativën për marrje të pushtetit me dhunë. Vërtet që krahët politikë tek ne janë bërë konvencionalë dhe i përkasin të njëjtit zog, zogut që quhet kapital, por të ikësh prej një grupimi politik që ka qenë shumë më liberal, më i moderuar dhe më përfaqësues dhe t’i shërbesh një grupimi tjetër tërësisht të diskredituar dhe të inkriminuar, kjo nuk flet për parime dhe as për ideale. Madje, pohimi i z. Luan Rama se ishte LSI-ja që u bë faktori themelor për nxjerrjen e PD-së nga çadra, tradhton gjithë qëndrimin e LSI-së gjatë tre muajve të fundit dhe deri ditën e marrëveshjes Rama-Basha, pasi tregon se, sipas tyre, ishte presioni i LSI-së që e detyroi Ramën të bëjë marrëveshjen. Nëse është kështu, atëherë drejtuesit e LSI-së nuk kanë pse çuditen dhe as pse e konsiderojnë “pabesi” faktin që Rama mund të jetë marrë vesh për një qeverisje me PD-në pas zgjedhjeve. Nuk duhet të çuditen sepse nuk ka dalë nga asgjëja ajo fjala e popullit që thotë se kush hap gropën e tjetrit bie vetë brenda. Pavarësisht sa thashë më sipër, unë ndiej neveri ndaj çfarëdo tendence për ” gjueti shtrigash ” që mund të vihet re tek ndonjë ministër – roje i vënë pas 20 majit 2017. E keqja nuk ka dhe nuk mund të ketë ngjyra. Kush është kundër saj duhet t’i presë ” shpata ” në të dy krahët përndryshe i duhet futur ” shpata ” në këllëf sa më parë.

Personalisht unë do të dëshiroja që partitë e majta shqiptare të ishin të unifikuara dhe as që duhej të ishin ndarë. Që të jenë të bashkuara duhet sadopak idealizëm nga të gjitha anët dhe drejtuesit e tyre. Në pamundësi të këtij ribashkimi, pretendimi dhe kërkesa e Ramës që të marrë mbi 70 mandate deputetësh si PS, ndonëse e vështirë, më duket e drejtë. Vetëm atëherë, mbas një qeverisjeje tjetër katërvjeçare, Edi Ramës do i hiqej çdo alibi për mangësitë dhe mosarritjet dhe e gjithë përgjegjësia do të binte mbi të. Nëse ndodh kjo gjë, pra, që t’i marrë aq deputetë sa i nevojiten për të krijuar qeveri të PS do të kemi gjithë të drejtën morale, politike dhe demokratike që në vitin 2021 ose ta lartësojmë për punën e mirë dhe arritjet ose t’i fusim një breshëri shkelmash që nisin tek godina e qeverisë dhe përfundojnë në Surrel.

Shumëkush mund të thotë pse duhet rivotuar Edi Rama. Rama nuk është as mbinjeri dhe as shpëtimtar. Shpëtimtarë as nuk ka dhe as duhet t’i kërkojmë. Ne duhet të kërkojmë vetëm njeriun normal, të ditur, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj vendit dhe popullit. Siç e kam thënë edhe herë tjetër, Rama nuk e plotëson imazhin tim për drejtues të vendit por, pavarësisht kësaj dhe në mungesë të të duhurit, Edi Rama dallon nga të tjerët në të paktën dy gjëra thelbësore: Së pari, askush dhe asnjëherë si ai nuk ka sakrifikuar pushtet për hir të konsolidimit të shtetit. Ne ishim mësuar me parti dhe politikanë që e bëjnë vendin rrumpallë dhe i japin liri keqsjelljes së shtetasve, ligjshkeljes masive dhe nëpërkëmbjes së shtetit për hir të votave sipas parimit të pashqipëruar hapur: unë ju lë të bëni ç’të doni, por vetëm më votoni. Dhe dihet se kjo lloj politike është në shërbim të pjesës më të padenjë të shoqërisë dhe vjen kundër interesave afatgjatë popullore e kombëtare. Kush mund ta besonte para katër vitesh se s’do të ngrihej asnjë ndërtesë pa leje, se do të paguheshin dritat (40% e energjisë “humbet në rrjet”, na thuhej atëhere), uji dhe taksat, se do të kufizohej prerja e pyjeve dhe ndotja e rëndë e mjedisit, jo vetëm nga furrat e gëlqeres që digjnin goma automjetesh, se do të përfundoje në burg po të tentoje t’i jepje ryshfet policit që të ndalon për shkelje ligji; se mund të ankohesh edhe onlajn (me kompjuter) në instancat shtetërore dhe të marrësh përgjigjen shpejt dhe jo rrallë edhe të të zgjidhet problemi; se prokurorëve dhe gjyqtarëve iu hyn frika në palcë përpara joshjes për mitmarrje; se të përndjekurit politikë do t’i merrnin të gjithë dëmshpërblimet; se pensionistët etj. do të kryenin vizitat dhe analizat mjekësore me kartën shëndetësore të lëshuar dhe të paguar nga shteti etj.

Së dyti, përveç disa reformave të tjera, Rama është i vetmi që pa asnjë mëdyshje nisi reformën në drejtësi dhe këmbënguli pa më të voglin ngurrim për ta vënë në jetë atë.  Ne i kemi jetuar dhe parë dredhitë e subjekteve të tjerë politikë për të penguar këtë reformë jetike për funksionimin normal të shtetit. Ata që vërtetë dëshirojnë të bëhet diçka e mirë në sistemin e drejtësisë duhet të votojnë promotorët e saj. Nëse ajo reformë bie në duart e atyre që u përpoqën ta sabotojnë, kalvari i endjeve dhe padrejtësive do të vazhdojë pambarimisht.

Unë besoj se këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë shumë me krahët politikë dhe partitë politike. Ato kanë të bëjnë dhe përcaktojnë faktin nëse do të konsolidohet shtetfunksionimi dhe do të shërohet sadopak drejtësia në Shqipëri apo do të vazhdojmë të pllaquritemi në llucë./DITA