Kulturë Kur Jul Cezari dashuronte Kleopatrën

Kur Jul Cezari dashuronte Kleopatrën

Jul Cezari do të takohet me Kleopatrën, mbretëreshën e re të Egjiptit në kohën kur ishte i mbuluar me lavdi. Ajo ishte një prej grave më tërheqëse që ai kishte parë gjatë jetës së tij.

Kleopatra nuk pati asnjë vështirësi ta bënte për vete romakun, megjithëse në atë kohë ai i kishte kaluar të 50-at, ndërsa ajo ishte vetëm 20 vjeç. Përveç kësaj, ajo nuk ishte egjiptiane, por maqedonase, megjithëse pohonte se ishte një pasardhëse e mbretërve të vjetër të Egjiptit.

Një dinasti greke e qeveriste mbretërinë që prej tre shekujsh dhe Kleopatra, e fundit e Ptolemeut, i përkiste kësaj familjeje. Ajo mbretëroi në të njëjtën kohë me vëllain e saj, një djalosh trembëdhjetëvjeçar, Ptolemeu XII. Por ata nuk binin shpesh dakord duke thurur intriga kundër njëri tjetrit.

Cezari e pa për herë të parë Kleopatrën në pallatin e saj në Aleksandri dhe u prek thellësisht jo vetëm nga bukuria e saj, por edhe nga cilësitë e saj intelektuale.

Ajo kishte një zë të këndshëm dhe ishte plot butësi dhe hijeshi, në qoftë se do ti besohej kronikanëve të epokës, por kjo gjë, nuk e pengonte aspak të tregohej ndonjëherë më e ashpër. Asaj i pëlqente bashkëbisedimi dhe kishte gjithë aftësitë e një politikaneje të kompletuar. Si pjesa më e madhe e grekëve, ajo e ndërronte humorin me shpejtësi dhe kjo të hutonte. Nga mjaft gazmore që mund të ishte ajo kthehej shumë shpejt në autoritare duke marrë qëndrime të ashpra. Ajo dinte të ishte gjithçka, koketë dhe e bukur, por dhe mizore në të njëjtën kohë.

Me këshillat e Çezarit ajo fitoi betejën kundër të vëllait. Pas vdekjes të Ptolemeut, ata kaluan muaj në shoqërinë e njëri tjetrit. Ata udhëtuan Nilit mbi një barkë të zbukurua, ndjekur nga një dyzinë anijesh që transportonin endacakë, xhonglerë dhe muzikantë. Që prej shumë kohës, Cezari nuk kishte pasur pushime të tilla.

Ai do të kishte shkuar i pashqetësuar deri në Etiopi me të bukurën Kleopatra, por trupat e tij e humbën durimin në Aleksandri. Nga ana tjetër punët urgjente e prisnin në Lindje.

Me keqardhje, ai duhej të ndahej nga mbretëresha pas lamtumirave më të dhembshme.

Ikja e tij do të kthehej në një humbje për Kleopatrën.