Opinione Kur si fëmijë janë gjeni e si të rritur mediokër

Kur si fëmijë janë gjeni e si të rritur mediokër

Nga Leonard Veizi

Që nga çasti që bëhen me fëmijë, çdo lloj prindi mendon njëkohësish se pas një pune djersitëse e plot kalkulime gjenetike, jo vetëm ka bërë vajzën apo djalin më të bukur në botë, por dhe gjeniun e radhës. Bëhet katërcipërisht e besueshme një gjë e tillë që kur fëmija nis me veprimet e para, ndonjë buzëqeshje e rastit fjala vjen, e deri tek ngritja në këmbë dy javë para afatit, që gjithashtu është një veprim instiktiv, por që në shumicën absolute përjetohet si një triumf. Imagjino sa gjeni do ishte çdo mëz a kërriç që ngrihet në këmbë një orë pasi është pjellë. Por jeta ka treguar se kërriçi bëhet gomar, e asgjë më shumë.

Të mos largohemi nga tema.

Sipas kësaj logjike bota do të kishte rreth 7 miliardë gjeni dhe fare pak budallenj apo njerëz me probleme mendore. Them 7 miliardë se fëmijët rriten, dhe globi vazhdon të shumohet me gjeni në rinj. Domethënë, në këtë mënyrë do kishim një inflacion të paparë. Por nuk po merremi me problemet globale. Me këtë po të dojë le të merret OKB-ja a UNICEF-i. Ne jemi në Shqipëri, dhe si shumë gjëra të tjera, ç’është vërteta edhe çështja e gjenive, është fort e theksuar. Pra, me një matematikë rruge dhe aspak të ndërlikuar, kemi rreth 3 milion gjeni, sipas brezave, pa përfshirë këtu ata që ia kanë mbathur e punojnë lart e poshtë nëpër botë, o në fushën e bujqësisë, o në ata të kanalizim-pastrimit. Them tre milionë, sepse mendoj që edhe ata të cilët tanimë janë në moshën e tretë, dikur kanë qenë fëmijë, dhe nëse nuk gaboj, çështja e rivalitetit mes prindërish nuk është se doli këto vitet e fundit kur teknologjia mori zhvillim të paparë. Ky mentalitet kanë qenë edhe atëherë kur burrat i çonin gratë për të lindur, hipur mbi gomar.

Të vijmë prapë aty ku e nisëm.

Fëmijët e shqiptarëve të mbetur brenda kufijve të Republikës janë të gjithë gjeni, që pasi kanë mbaruar exelent, o “Petro Ninin…” o “Sami Frashërin”, kanë shkuar me turma të diplomohen në “Harvard” në “Yale University”, ose në “Cambridge”. Ata më fakirët, që kanë nxjerrë ndonjë 9 në fizkulturë se nuk kanë kapur dot të normat e 800 metërshit apo kalimin e kaluçit, zakonisht frekuentojnë “Sorbonën” apo “La Sapienzën”. Po diplomimi nuk është gjë fare, ajo është thjeshtë qershiza mbi tortë, sepse ata e kanë nisur jetën si gjeni.

Fëmijët shqiptarë për fat janë të gjithë të talentuar, o kanë veshë për muzikë, o kanë këmbë për balet, o kanë dorë për pikturë. Dhe që të gjithë si emërues të përbashkët kanë atë që janë dhe shkrimtarë të afirmuar, pra dinë të shkruajnë poezi sa do tronditnin dhe Migjenin po të ishte gjallë. Dhe meqenëse qëndrojnë gjithë ditën në youtube, e shohin gjithfarësoj filmash, të gjithë dinë po aq gjuhë të huaja sa dinte Noli ose Konica. Dmth nga 14-15 të tilla.

Hajde poliglotë, hajde…

Fenomenin e fëmijëve gjeni do ta ndeshësh kudo, që nga postimet në facebook, deri tek tavolinat e kafeve ku ka më shumë se dy gra. Në kësi rastesh do informohesh e do dëgjosh thagma për fëmijë të talentuar që kanë habitur grekun dhe italianin bashkë, që po çudisin gjermanin e që ia kanë vënë syrin t’i plasin damllanë amerikanit. Do mësosh nga bisedat informale në tavolina ku pihet dekafeinato e çaj xhinxheri, se një djalë 12 vjeç ka botuar librin e dytë me vjersha, një vajzë 11 vjeç ka hapur një ekspozitë pikture në akuarel dhe po përgatitet t’ia nisi bojës së vajit, dhe një tjetër me zë soprano e tenori bashkë, ka lënë nam tek juritë e “Voic”-it andej nga vendet e Evropës Lindore, sepse kur ka interpretuar në oktavat e sipërme, i ka bërë shkulin leshtë.

Ne kemi fëmijë gjeni që për nga statistikat ua kalojmë të gjithëve. Por në fakt gjithmonë konkurrojmë për vendet e fundit andej nga lista e shteteve të prapambetura. Ndërkohë, rëndom mendohet se kjo forcë madhore intelektuale do ta kishte bërë këtë vend më të lulëzuar se Zvicra e San Marino bashkë.

Po kush e di ku ngec sharra në gozhdë…

Dhe të mos largohemi shumë nga tema.

Prindërit stimulojnë që fëmijët e tyre edhe pse në moshën e pubertetit duhet të shfaqen para publikut artdashës o me një vëllim esseistik, o me një ekspozitë instalacioni, o me një ndeshje boksi ku kundërshtarin ta hedhin nokaund o në raundin e parë o në të tretin.

Shumë vite më parë në televizor doli një fëmijë gjeni që bënte me mend veprime matematikore që si bënte dot as ordinatori, ca më vonë doli një i dytë me të njëjtat cilësi. Nuk kaloi shumë kohë kur në ekran u shfaq dhe një i tretë. Trurin kompjuter. Me këtë ritëm, ne duhet të ishim vendi që nuk kish pse të eksportonim hashashin, mjafton të eksportonim matematikanët. Do kishim bërë para me thasë.

Duket se shteti nuk e ka parë me përparësi këtë punë. Ndoshta dhe ka bërë mirë. Se është një fushë, që edhe pse e kemi linçuar shumë, që nuk na ka dhënë prodhim të mbarë.

Epo, ka mbetur sharra aty te gozhda… Kush e di kush na ka mallkuar.

Kur këta fëmijë kanë dalë në televizion si talente ata kanë qenë nga 10-12 vjeç. Po kur janë rritur…? Në fakt ata të rritur boll janë tanimë por Ajnshtajna nuk janë bënë dot. Mundësia më e madhe është që të jenë bërë mësues matematike në rastin më të mirë, a ndoshta emigrantë në kërkim të fatit në rastin më të keq. Se po t’i kishin zënë vendin Ajnshtanjit apo dhe Zuckerbergut, do ta kishim marrë vesh se s’bën. Do na ishte çarë daullja e veshit prej fonivë të radiove dhe televizorëve. Se ne trumbetojmë me të madhe çdo njëri me emër në Perëndim, që ka ose gjyshin ose gjyshen nga arbëreshët e Kalabrisë, që do të thotë se para 500 vjetësh kanë qenë shqiptare puro, jo më të mos trumbetojmë këta qa kanë lindur te “Mbretëresha Xheraldinë”, apo në maternitetet e rretheve, sidoqoftë.

Megjithatë në Shqipëri ka fëmijë gjeni sa s’ka në botë. Dhe do kishte më shumë, në qoftë se rivaliteti mes të rriturve, në tavolinash kafe dhe “takim me prindërit”, më shumë se do realizonte ëndrrat e tyre, do t’i vriste ato.