Aktualitet Kurba në pikiatë, vetëm 9 raste të reja me Covid-19 një muaj...

Kurba në pikiatë, vetëm 9 raste të reja me Covid-19 një muaj pas pandemisë

Një muaj nga regjistrimi i dy rasteve të para me COVID 19, vendi sot ka regjistruar numrin më të ulët të rasteve të reja me koronavirus.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar vetëm 9 raste të reja, duke e çuar në 409 numrin e të infektuarve. Përqindja më e lartë e të prekurve janë meshkuj, me 53%.

“Janë testuar 234 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3223 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 409 raste”.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Elbasan 3 raste.

11 të shëruar

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se  gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 165.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

58 pacientë të shtruar në spital- Në shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar, 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. 5 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive

– Tiranë 196 raste

– Durrës 38 raste

– Lushnje 5 raste

– Elbasan 15 raste

– Fier  32 raste

– Kavajë 8 raste

– Rrogozhinë 4 raste

– Korçë 17 raste

– Vlorë  5 raste

– Shkodër 45 raste

– Lezhë 14 raste

– Berat  2 raste

– Has  12 raste

– Krujë 5 raste

-Tropojë  4 raste

– Pukë  4 raste

– Mirditë 3 raste

Shmangni vizitat te të afërmit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

“Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”.