Kryesore Kurti kundër “Kushtetueses”: U rreshtua me kapësit e shtetit, vendim i papranueshëm

Kurti kundër “Kushtetueses”: U rreshtua me kapësit e shtetit, vendim i papranueshëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila njohu mandatimin e Avdullah Hotit për kryetar qeverie nga ana e Presidentit Thaçi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti thotë se Gjykata Kushtetuese zhvlerësoi veten me këtë vendim dhe u rreshtua me kapësit e shtetit.

Kurti shprehet se nuk kishte ndonjë shpresë tjetër për vendimin e gjykatës, por ai i djeshmi është përtej imagjinatës e nën çdo nivel logjik e juridik. Prandaj si i tillë është i padrejtë dhe i papranueshëm.

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar. Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm”, shkruan Kurti, ndërsa shton se në ditët në vijim do të njoftojë qytetarët për hapat politikë që do të ndërmarrë Lëvizja Vetëvendosja.

Gjatë deklaratës së tij, Kurti ka argumentuar se ky rast ka qenë ndër të rrallët kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria, të cilat janë të gatshme për zgjedhje të reja, pamundësohen nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti. Sipas Kurtit, Gjykata nuk ka interpretuar Kushtetuën , por ka justifikuar vendimin e Thaçit për mandatimin e Hotit.

“Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike. Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë. Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit. Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”, thotë Kurti.

Më herët gjatë një konference për shtyp Presidenti Hashim Thaçi bëri thirrje që të krijohet sa më shpejt qeveria e re. Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi Richard Grenell u shpreh se “mezi pret që të bashkëpunojë me qeverinë e re”.