Kosova Kurti nga Bratislava: Nuk e dorëzojmë Republikën tonë te këta fashistë

Kurti nga Bratislava: Nuk e dorëzojmë Republikën tonë te këta fashistë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pranishëm në forumin për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Bratislavë të Sllovakisë, ka mbrojtur punën e bërë deri më tani nga policia e Kosovës.

Teksa u përgjigjej pyetjeve të bëra rreth situatës së tensionuar në Veri të Kosovës dhe për mënyrat sesi këto tensione mund të zbuten, Kurti theksoi se njësitë speciale të Kosovës janë trajnuar nga forca demokratike perëndimore si SHBA dhe Bashkimi Europian.

Albin Kurti theksoi po ashtu se për sa kohë jashtë ka turma që kërcënojnë të sulmojnë apo që bëjnë thirrje në mbështetje të liderëve si Vladimir Putin, komunat do të ruhen nga policia e Kosovës në numra të arsyeshëm.

Kurti tha se do ishte shumë mirëkuptues nëse banorët serbë të komunave veriore do të protestonin paqësisht për të kërkuar përsëritje të zgjedhjeve. Por, shtoi se qeveria e Kosovës nuk do ta dorëzojë kurrë republikën demokratike tek fashistët që dhunojnë policinë dhe thërrasin “vrite, vrite”.

“Policia jonë po bën një punë profesionale të ndihmuar nga aleatët tanë. Kanë vokacion perëndimor, i dinë shumë mirë të drejtët e njeriut dhe nuk ka shkelje. Në këto komuna kam dhënë urdhër që nënkryetarët të jenë serbë, pra kryetari shqiptar i zgjedh nënkryetarët e vet. Ajo që po ndodh në Veri është se koncepti i tyre për botën serbe po reflektohet në vendin tonë. Po ju bëj një pyetje, që nuk është retorike: Nëse këta komunarë nuk shkojnë në zyra, kush duhet të shkojë në këto zyra që janë bosh? Nuk janë protesta, por turma me shkronjën Z që thërrasin ‘ubi ubi’, pra ‘vrite vrite’. Nuk e dorëzojmë republikën tonë tek këta fashistë. Nëse qytetarët e këtyre komunave do të bënin protesta paqësore për të kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në Veri do kishin mbështetjen time”, tha Kurti.

Po ashtu, teksa fliste për serbët në Veri dhe faktin që ata përbëjnë 4% të popullsisë, Kurti shpjegoi se ata duan të jenë pjesë e Kosovës, por gjenden përballë kundërshtimit të Beogradit.

“Duan të jenë pjesë të Kosovës, por nuk e shprehin dot atë që duan sepse bullizohen nga Serbia.”

Ndërsa, sa i përket NATO-s, kryeministri i Kosovës theksoi se Aleanca është e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Megjithatë, ai shtoi se jo gjithmonë bien dakord, duke shtuar se kjo jo domosdoshmërisht është një gjë e keqe.