Opinione Kush është armiku ynë i përbashkët?

Kush është armiku ynë i përbashkët?

Shpërndaje

Nga Miron Çako

Armiqësia ekziston kur dy njerëz ose dy palë urrejnë dhe luftojnë njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, pothuajse të gjithë njerëzit kanë armiq, të cilët mund jenë personalë, familjarë, shoqërorë, por edhe kombëtarë. Për disa, në këtë botë plot me kontradikta, lufta kundër armikut duket e natyrshme dhe si zhvillim dialektik i vetë qenieve. P.sh., teoria e  Evolucionit apo “Seleksionimi  Natyror”(The Origin of Species) botuar më 1859 nga biologu Ҫarl Darvini (1809-1882) na shpjegon në mënyrë të detajuar se zhvillimi i qenieve nga organizmi më i thjeshtë njëqelizor në më të ndërlikuar shumëqelizor edhe në specie, nuk është gjë tjetër, veçse një zinxhir i pandërprerë kalimesh me konfliktesh armiqësore për jetë a vdekje, për gjatë shekujve, nga një formë më e ulët në një më të lartë deri te njeriu homo sapiens (njeriu i ditur). Teorinë e Darvinit, që tronditi  themelet e teizmit edhe i hapi rrugë ateizmit, e çoi më tej filozofi gjerman Frederik Niçe (1844-1900). Niçja, i pajtuar absolutisht me teorinë e Darvinit, filozofonte që, ashtu si evoluuan speciet, nga një luftë armiqësore e egër edhe vetë njeriu, si qenie e evoluar nga majmuni, mund të vazhdojë të evoluojë brenda llojit, nëpërmjet një lufte të egër dhe të pamëshirshme, duke parë të afërmin apo tjetrin si armikun e tij dhe si shkallë për t’u ngjitur në përsosmëri.

Ai u thoshte pasuesve: “Mos e lini veten të ndikoheni prej mëshirës, prej dhembshurisë dhe dashurisë, shtypeni të dobëtin. Duke shkelur mbi kufomat e tyre, ngjituni më lart se jeni bijtë e një brezi më të fortë. Ideali juaj të jetë mbi njeriun”. Niçja, një filozof i dëshpëruar dhe me probleme psikike, tha në shpërthimet e tij shfrenuese se: “Zoti ka vdekur”. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe filozofike është lufta e rreptë dhe e hapur kundër Krishterimit. Niçja mendonte se e liga që zotëron në jetën e sotme dhe të gjitha mjerimet e qytetërimit tonë, rrjedhin ngaqë njerëzit zbatojnë porositë ungjillore të Krishtit për  dashurinë, butësinë, mëshirën dhe faljen ndaj armikut.

U provua qartë se teoria agresive e Darvinit dhe filozofia dëshpëruese e Niçes nuk sollën aspak zhvillimin e species së  “mbinjeriut”, por as edhe të popullit elitar (arian), por rizgjuan anën më të errët të natyrës së rënë njerëzore, armiqësinë brenda llojit, duke nxitur te njeriu instinktin e armiqësisë, si të kafshës në xhungël, prishi gardhet e arsyes dhe të ligjit natyror midis njerëzve: “Mos i bëj tjetrit, atë që duan ta bëjnë ty” dhe prodhoi një armiqësi të “justifikuar” dhe të papërmbajtur midis njerëzve edhe kombeve me miliona viktima, veçanërisht në luftërat botërore të shekullit XX, ku Lufta e Dytë Botërore u quajt “Lufta e Niçes”, këto të dirigjuara  nga partitë  nacionaliste ekstreme, si fashiste, naziste, bolshevike, komuniste, të drejtuara nga figura diktatorësh delirantë, sadistë, që janë përgjegjësit kryesorë të humbjes së shumë jetëve të njerëzve të pafajshëm dhe shkatërrimesh dramatike të qytetërimit njerëzor. Gjatë Luftës të Parë Botërore humbën jetën 20 milionë njerëz, ndërsa gjatë së Dytës rreth 62 milionë njerëz.

Edhe pse pësimi u bë mësim për kombet dhe u krijuan organizma imune për të mbrojtur paqen mes popujve, si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), themeluar në vitin 1945 me iniciativën e shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore, si SHBA, Kina, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Franca që zëvendësoi Ligën e Shteteve, e cila ishte formuar në vitin 1919, por nuk ishte treguar efektive për mënjanimin e Luftës së Dytë Botërore, apo krijimi i  Evropës së Bashkuar (BE), që filloi nga Traktati i Parisit i vitit 1951 dhe Traktati i Romës i vitit 1957 dhe më vonë Traktati i Mastrihtit themeloi Bashkimin Evropian në vitin 1993 dhe vendosi nënshtetësinë evropiane, përsëri brenda këtyre vendeve me një platformë për vëllazërim midis popujve, njësim të monedhës, ka tendenca për një rizgjim të nacionalizmit ekstrem, ksenofobisë, filitizmit duke parë tjetrin, ose kombin fqinj si armik dhe shkak të fatkeqësisë, duke i çuar përsëri popujt në greminën e luftës, sepse historitë e harruara rrezikohen të përsëriten.

Nacionalizmi është formë ekstreme e patriotizmit, e mbushur me një ndjenjë superioriteti ndaj vendeve të tjera, që përjashton edhe nxit armiqësi ndaj kombeve të tjera. Si gjithmonë, nacionalizmi, ashtu siç e cilëson  Samuel Xhonson, është “streha e fundit e horave”, d.m.th. e filozofëve të dëshpëruar, cinikë, e biznesmenëve apo e politikanëve lakmitarë, mizantropë, të korruptuar dhe të diskredituar në popull që nuk iu ka mbetur asgjë për të mbuluar përpara turmës lakuriqësinë e turpeve dhe të padrejtësive të tyre, vetëm duke përdorur dëshpërimisht gjethet e nacionalizmit ekstrem.

Pavarësisht se Darvini studioi për teologji në Universitetin e Kembrixhit edhe Niçja ishte bir pastori (prifti) protestant apo edhe të tjerë diktatorë nacionalistë ekstremist, që u frymëzuan prej tyre, studiuan teologji apo kishin njohuri nga teologjia e krishterë, nuk arritën kurrë të kuptonin doktrinën e vërtetë të krishterë se: armiku nuk është tjetri, por vetvetja jote e gabuar edhe, mbi të gjitha, armiku i njerëzve është djalli me demonët (engjëjt e rënë) që e urrejnë njeriun, sepse është i krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe ata janë regjisorët e padukshëm të armiqësisë midis njerëzve me Perëndinë, me njëri-tjetrin dhe me krijimin. Njerëzit, sipas teologjisë së krishterë, vijnë nga i njëjti burim, nga çifti i parë njerëzor (Adami dhe Eva) dhe kështu ata janë vëllezër, pavarësisht nga raca, gjuha, ngjyra, gjinia dhe territori ku jetojnë. Kështu, kur e duan dhe e pranojnë njëri-tjetrin, është gjë e natyrshme; ndërsa, kur e urrejnë dhe e vrasin njëri-tjetrin, kjo është gjë e panatyrshme.

Armiqësia midis njerëzve filloi kur çifti i parë njerëzor mëkatoi i mashtruar nga ligësia e djallit, duke ngrënë frytin e ndaluar në kopshtin e kënaqësive të Edenit (në Lindje). Ata, në vend që të pendoheshin edhe t’i kërkonin falje Zotit Perëndi që i urdhëroi: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:16-17), u justifikuan duke akuzuar me armiqësi njëri-tjetrin, krijesën edhe vetë Krijuesin: “Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?”. Njeriu iu përgjigj: “Gruaja që ti më vure pranë, më dha nga pema dhe unë e hëngra”. Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: “Pse e bëre këtë?”. Gruaja iu përgjigj: “Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj” (Zanafilla 3:11-13).

Kjo armiqësi ndaj çiftit thellohet edhe te fëmijët e tyre kur Kaini vret nga smira Abelin, duke e parë atë shkakun e dështimit të tij: “Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij, Abelit, dhe e vrau. Atëherë Zoti i tha Kainit: “Ku është vëllait yt, Abeli?”. Ai iu përgjigj: “Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?”. Zoti i tha: “Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë”. Atëherë Kaini i tha Zotit; “Ndëshkimi im është tepër i madh, aq sa unë nuk mund ta duroj” (Zanafilla 4: 8-13).

Në këtë histori kaq tragjike, të përshkruar shumë shkurt, na zbulohet e gjithë zanafilla dhe rrënia e gjithë armiqësisë edhe e pasojave të saj te njerëzit që, të mashtruar nga ligësia e djallit, në fillim dolën kundër Zotit, pastaj  urrejnë tjetrin duke e parë atë si armikun dhe shkakun e fatkeqësisë dhe  kështu përligjin armiqësinë, vrasjet, shkatërrimet si e vetmja rrugë e mbijetesës në këtë botë konfliktuale për shkak të mëkatit. Por edhe pse Kaini ishte shkaktar i një vrasjeje të padrejtë dhe se gjaku i Abelit (shpirti) kërkonte shpagim nga toka, çuditërisht Zoti i drejtë e ndalon gjakmarrjen që nxit armiqësinë. “Dhe Zoti i tha: ‘Prandaj, kushdo që vret Kainin, do të dënohet shtatë herë’. Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente, të mos e vriste” (Zanafilla 4:15). Kjo tregon një tjetër mister, se armiqësia ndaj tjetrit, edhe kur është e drejtë, nuk është zgjidhja e problemit, sepse viktima kthehet në viktimizues në një rreth vicioz armiqësie, që vazhdon të thellohet ashtu siç veprohej sipas ligjit të Talionit: “Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të vet, ai do të pësojë po atë gjymtim që i ka bërë tjetrit, sy për sy, dhëmb për dhëmb”.

Krishti, Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut, kur erdhi në tokë, edhe pse personalisht nuk u bëri asnjë të keqe njerëzve, përsëri pati shumë armiq, që u frymëzuan nga djalli, i cili u fut në fillim te Juda që e tradhtoi, pastaj te priftërinjtë të cilët e dënuan padrejtësisht me vdekje, si blasfemues, por edhe te turma që i harroi të mirat e tij edhe në inat e sipër i thoshin Pilatit: “Kryqëzoje,  kryqëzoje!”. Krishti në kryq nuk ishte i dobët, por më i fortë se kurrë se atje po mundte djallin, armikun e njerëzve dhe prandaj u lut kështu: “Fali, o Atë, se nuk dinë se ç’bëjnë”(Lluka 23:34) si shembull unikal për ti shpëtuar njerëzit nga armiqësia e cila ushqehet nga hakmarja edhe kur kjo është e drejtë. Falja e Krishtit në kryq për armiqtë, ishte në koherencë të plotë me mësimet e tij të padëgjuara deri atëherë: “Por unë po ju them: ‘Duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë e ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”’ (Mateu 5:44-45).

LEXO EDHE:  Shkrimtarja që e mbështeste, kundër Ramës/ Je një burrë arrogant e vulgar

Jisui nuk vjen pra për të mohuar armiqësinë midis njerëzve edhe popujve, por për ta shfaqur atë në misterin e saj të plotë si një virus vdekjeprurës të djallit dhe si një shenjë të mbretërimit të djallit midis njerëzve mëkatarë. Krishti iu kundërvu armiqësisë me dashurinë flijuese edhe pse njerëzit ishin armiq të Perëndisë, ashtu siç thotë apostull Pavli: “Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij” (Romakëve 5:10). Dashuria flijuese e Krishtit në kryq nuk ndikoi vetëm tek individë që të falnin edhe të donin njëri-tjetrin, por edhe te popujt armiq, ashtu siç përsëri apostull Pavli thotë: “Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij… duke bërë paqen, për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete”(Efesianëve 2:14-16).

Pavarësisht se Krishti është ekumenik (i përbotshëm) në misionin e tij të dashurisë, Ai është përsëri atdhedashës madje është shembulli unikal i atdhedashurisë. Si një judeas, ai nuk pushoi së bëri mirë mbi të gjithë bashkëkombësit me fuqinë dhe të vërtetën e Perëndisë edhe kur paradoksalisht  populli i Tij nuk e priti dhe e përbuzi si të pavlefshëm, si armik të kombit, sepse izraelitët, të mashtruar nga egoizmi i tyre dhe urrejtja për kombet e tjera, prisnin një Krisht nacionalist, përjashtues dhe sundues mbi të gjitha kombet. Krishti, duke i ditur të gjitha përfundimet e nacionalizmit hebre, sa do të arrinin të vrisnin edhe Mbretin (Mesian) e tyre, vajton për kryeqytetin e Izraelit, Jerusalemin, duke thënë profetikisht: “Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë të nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu. Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët. Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar” (Luka 17:41-44).

Fjalët profetike të Krishtit u realizuan në vitet 70 (pas Kr.), kur romakët, të udhëhequr nga gjenerali Titus, rrethuan dhe pushtuan Jerusalemin duke bërë masakrën më të madhe në popullin e Izraelit, shkatërruan qytetin edhe Tempullin e Solomonit, sa nuk mbeti gur mbi gur. Që nga ky moment, Izraeli pushoi si komb dhe tokën e tij e shkelën kombet e tjera, derisa të plotësohej koha e kombeve. Historia e kombit të Izraelit na tregon se nacionalizmi armiqësor mund të shkatërrojë edhe popuj elitarë, sepse mohuan Zotin e tyre, ashtu siç thuhet: “Mjerë ai popull që mohon Zotin e tij!”.

Të krishterët, që sot përbëjnë popullin e ri të Zotit, të shtrirë në kohë edhe hapësirë, duke qenë si kripa dhe drita midis popujve, edhe pse aspirojnë mbretërinë e qiejve, atje ku rri Krishti me shenjtorë, edhe nga ku pritet të vijë për të krijuar një qiell të ri edhe tokë të re, ku nuk do të ketë më armiqësi, por vëllazëri edhe dashuri të përjetshme: “Sepse qytetaria jonë është në qiej, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht” (Filipianëve 3:20), përsëri deri atëherë dashuria për atdheun në këtë tokë do të mbetet për ta gjithmonë një detyrë për t’u përmbushur, si shprehje e dashurisë ndaj të afërmit, jo thjesht ai i fisit, i gjakut apo kombit, por i atij që është afër fizikisht, sepse te çdo njeri është Zoti, i Cili thotë: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”(Mateu 25:40). Prandaj të krishterët nuk mund të jenë nacionalistë armiqësorë për të mbivlerësuar kombin e tyre dhe për të përjashtuar kombet e tjera, sepse atëherë ata nuk mund të jenë të krishterë dhe pjesë e Kishës së Krishtit, që është një Kishë Katholike dhe Apostolike në të gjithë botën, e cila i përqafon të gjithë njerëzit me dashurinë dhe të vërtetën e Krishtit, pa dallim race, gjuhe dhe kombi, duke i bërë ata, në çdo kohë dhe në çdo vend, popull të ri të Zotit.

Vetë Patriarkana Ekumenike, në Sinodin e vitit 1872, e nxitur prej veprimeve nacionaliste edhe brenda Kishës Orthodhokse, e dënoi si herezi etno-filitizmin (racizmin) dhe ndarjen e Kishës sipas kombit dhe lëshoi ​​një dënim zyrtar kundër racizmit kishtar ose etno-filitizmit: “Ne heqim dorë, dhe dënojmë filitizmin që është diskriminim racial, ndarjet etnike që nxisin urrejtjet dhe përçarjet brenda Kishës së Krishtit, në kundërshtim me mësimin e Ungjillit dhe kanonet e shenjta të etërve tanë të bekuar, që ‘mbështesin një Kishë të Shenjtë’ në të gjithë botën e krishterë”.

Pavarësisht se Perëndia është për paqen dhe Krishti quhet Princi i paqes, që mbështet mbi të vërtetën drejtësinë, dashurinë edhe faljen, në raste të veçanta kur kjo paqe mund të prishet, atëherë vetë Zoti e lejon mbrojtjen me armë ndaj armikut të kombit si një të keqe më të vogël përballë një të keqeje më të madhe kundër njerëzve të pafajshëm, popujve, njerëzimit edhe qytetërimit. Krishti vërtet e ndalon Petron për të përdorur shpatën në mbrojtje personale: “Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?” (Mateu 26:52-54). Por asnjëherë Krishterimi nuk ka qenë kundër përdorimit të shpatës për mbrojtje të kombit. Apostull Pavli, goja e Krishtit, thotë: “sepse eprori (shteti) është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj sepse nuk e mban kot shpatën, sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen”(Romakëve 13:4).

Shën Athanasi (295-373), i mbiquajtur atë i orthodhoksisë, thotë: “Të vrasësh nuk është e lejueshme, por të vrasësh armiqtë në kohe lufte, është edhe e ligjshme, edhe e denjë për lëvdatë. Kështu vlerësohen për nderime të mëdha ata që janë shquar në luftë edhe u ngrihen atyre përkujtimore që dëshmojnë veprat e tyre. Kështu që një punë, e cila në një mënyrë e në një kohë të caktuar nuk duhet lejuar, po ajo punë, në rrethana e në mënyra të tjera edhe lejohet, edhe ndjehet. Thirrja e atdheut në rrezik hyn me një shpejtësi të madhe në ndërgjegjen e krishterë dhe Kisha Orthodhokse pranon që mbrojtja me armë e atdheut është një detyrë për tërë bijtë e saj”.

Prandaj Kisha Orthodhokse, ndryshe nga konfesionet e tjera fetare, e nderon flamurin kombëtar si simbol të unitetit dhe të dashurisë kombëtare deri në flijim dhe i lutet Perëndisë t’i kujtojë ata që ranë për fe edhe për atdhe. Klerikët së bashku me besimtarët i luten Zotit përpara flamurit:

“O Zot që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje flamurin tonë dhe shpëtoje shtetin dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë, dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde, dhe vlerësona që ne të pavyerit ta kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me shëndet dhe ditë të gjata këtu dhe kudo se Ti je Perëndi mëshirëplotë dhe njeridashës, dhe Ty ta drejtojmë lavdinë, Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve”.

Por përsëri Kisha Orthodhokse nuk pushon së thëni të vërtetën se cili është misteri i armiqësisë midis njerëzve dhe popujve edhe ndaj kujt duhet të luftojmë pa mëshirë, ashtu siç apostull Pavli na këshillon: “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës së kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore”(Efesianëve 6:11-12).

Edhe shën Joan Gojarti (344-407), një tjetër atë i madh i Kishës Orthodhokse, mësonte: “O vëlla, përpiqu të jesh armik e hakmarrës i djallit, por jo i vëllait tënd. Zoti na armatosi me zemërimin që ta përdorim si shpatë dhe ta ngulim jo në trupat e vëllezërve tanë, por në atë të djallit; në kraharorin e tij ngule shpatën thellë deri në dorezë ose më mirë fute brenda edhe dorezën vetë dhe mos e nxirr kurrë, por lëre atje përgjithmonë. Shpatën e ngulim në trupin e djallit vetëm atëherë kur tregojmë dashuri e butësi kundrejt vëllezërve dhe kur sillemi mes nesh me paqe edhe me urtësi!”.

Kurse në lidhje me armiqësinë mes njerëzve, ja cilët lumëron Krishti:

“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mateu 5:9).

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në Kryepiskopatën e KOASH-it