Aktualitet Kush është Behar Sofia, personi që u vra me silenciator pranë Piramidës?

Kush është Behar Sofia, personi që u vra me silenciator pranë Piramidës?

E kaluara e errët/ Behar Sofia hetohej nga SPAK për trafik heroine. Bashkëpunëtor edhe i bosit turk të heroinës i cili do kryente sulm terrorist në Tiranë. Dy pistat e policisë

Një person është ekzekutuar me armë zjarri këtë të enjte, buzë Lanës, pranë Piramidës. Një 65-vjeçar i identifikuar si Behar Sulo Sofia, është qëlluar ndoshta me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar krisma.

Viktima është qëlluar dy herë rreth orës 09:00 të mëngjesit, dhe pasi ka qëndruar për disa minuta aty, është transportuar për në Spitalin e Traumës, por ndërroi jetë atje.

Për hetuesit zbardhja e ngjarjes është mjaft e vështirë pasi 66-vjecari u qëllua në një zonë ku nuk ka kamera sigurie, ndërsa dëshmitarët nuk dëgjuan të shtëna. Veç kësaj mësohet se në vendngjarje policia nuk ka mundur të gjejë as gëzhoja ndonëse prej 60 minutash kërkoi me detektor metalesh.

Kjo është edhe një foto e viktimës Behar Sofia 66 vjeç që ndodhet i shtrirë në trotuar vetëm pak sekonda pasi u qëllua me armë, kur ishte ende i plagosur.

Dy pistat

Grupi hetimor dyshon se Sofia u qëllua nga një makinë në lëvizje me armë me silenciator, për shkak se në zonë nuk u dëgjuan të shtëna armësh.

Një tjetër pistë sa i përket dinamikës së ngjarjes ka të bëjë me faktin se dyshohet që 66-vjeçari të jetë qëlluar brenda një automjeti dhe më pas të jetë hedhur në rrugë nga autorët.

E kaluara e errët

Behar Sofia është një personazh i njohur për trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht nga Turqia, të heroinës, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Ai ishte pronar i disa bizneseve në zonën pranë Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Gjatë këtyre viteve ka qenë i dyshuar dhe për gjobëvënie, për krim të organizuar nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa ishte njohje e afërt dhe bashkëpunëtor i bosit turk të heroinës Abdulselam Turgut i cili do kryente sulm terrorist në festën e Novruzit në Kryegjyshatën e Bektashinjve në Tiranë në vitin 2018.