Aktualitet Kush është “Çipuri”, objektivi që i shpëtoi atentatit të dytë në Vlorë?

Kush është “Çipuri”, objektivi që i shpëtoi atentatit të dytë në Vlorë?

Një atentat me armë zjarri tronditi në mesditë Vlorën. Në zonën e ujit të ftohtë mjetit në pronësi të Arjan Hasanit iu pre rruga200 metra para se të dilte në aksin kryesor hyrës në Vlorë dhe mbi të u derdh një karikator kallashnikovi.

Si pasojë e plumbave të marrë mbeti i vdekur në vend Arjan Hasani dhe pasagjeri tjetër Aurest Rexho, ndërsa i shpëtoi atentatit, Armando Sulejmani.

Ai ndodhet në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën, ndërsa raportohet se ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në këmbë.

Sipas hetuesve dyshohet se objektivi i këtij atentati mafioz ka qenë pikërisht 42-vjeçari, një emër i njohur për policinë e qytetit bregdetar.

Sulejmani ka qenë sot në makinë me kunatin e tij Aurest Rexho dhe mikun Arjan Hasani i njohur me nofkën “Lani”. Rexho mësohet se është pronar i një lokali në lagjen “24 Maji” e njohur ndryshe si lagjja “Çole”.

Por kush është Armando Sulejmani dhe cilat janë “bëmat”  e tij?

Armando Sulejmani, i njohur në Vlorë me nofkën “Çipuri” është anëtar i bandës së Gaxhajve. Ai nga sot do të njihet edhe si personazhi që i ka shpëtuar me shumë fat dy atentateve.

Kjo pasi, ky i sotmi ku gjendje në sedijen e pasme të mjetit ku mbetën të vrarë dy miqtë e tij, është atentati i dytë në radhë pas atij që i ka ndodhur më 23 maj 2016 në hyrje të banesës.

Asokohe në hyrje të pallatit, Sulejmanit ju bë pritë dhe një person qëlloi tre herë në drejtim të tij, por në vijim iu bllokua pistoleta duke mos e ekzekutuar dot.

42-vjeçari u plagos në dorë, ndërsa errësira ndihmoi edhe 2 atentatorët e maskuar të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes. Asokohe u tha se edhe njëri prej tyre u plagos pasi edhe Sulejmani ka qenë i armatosur dhe ka qëlluar ndaj tyre.

Por, i plagosuri i ngjarjes së sotme nuk ka qenë për motive të pasqaruara objektiv i atentateve. Duket se të gjitha ngjarjet që kanë tronditur Vlorën lidhen me vrasje të mëparshme nga banda e “Gaxhajve”.

Kështu, më 24 nëntor të vitit 2009 Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm Gazmir Brakën, i njohur me pseudonimin “Gaxhai”, ndërkohë që u dënuan me 25 vjet heqje lirie Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu.

Gjykata e Krimeve të Rënda i shpalli ata fajtorë, si autorë të tre vrasjeve të kryera në bashkëpunim, dhe konkretisht ekzekutimin e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit dhe Zihni Harunit.

Por, në 24 shkurt të vitit 2014, Gjykata e Lartë e dënoi përfundimisht Armando Sulejmanin me 16 vjet burg dhe e shpalli të pafajshëm për veprën penale të pjesëmarrjes në bandë të armatosur. Përfundimisht ai i shpëtoi qelisë në vitin 2016 kur u la i lirë.