Aktualitet Kush është gruaja që dyshohet se mashtronte biznesmenët, në grackë edhe vëllai...

Kush është gruaja që dyshohet se mashtronte biznesmenët, në grackë edhe vëllai i drejtorit të Policisë së Tiranës

Sot policia njoftoi për prangosjen e një gruaje, 64-vjeçare, e cila sipas tyre mashtronte biznesmenët në Tiranë, duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi, të financuara nga një organizatë.

Policia ka dhënë vetëm inicialet, V.P, ndërsa “Report TV” ka mësuar se ajo quhet Violeta Stavri Petro.

Por nuk është ky lajmi më i rëndësishëm.

Sipas “Report”-it, në grackën e mashtrimit ka rënë edhe vëllai i Rebani Jaupit, drejtorit të Policisë së Tiranës.

“Mashtronte biznesmenë, u premtonte projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, vihet në pranga shtetasja. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, pas marrjes së kallëzimit nga pronarë të disa bizneseve, se një shtetase, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre për përfitime personale duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate të huaj, bënë kapjen dhe ndalimin e V. P., 64 vjeçe, banuese në Tiranë.”, jepte detaje policia.

Sipas efektivëve kjo shtetase prezantohej si përfaqësuese e një organizate të huaj dhe duke përdorur emrin e organizatës, mashtronte duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u premtonte financime në projekte të mëdha ndërtimi.

“Materialet procedurale në ngarkim të kësaj shtetaseje, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.”, përfundon njoftimi.